Sulmet ajrore amerikane nuk e shkatërruan programin bërthamor të Iranit, por e kthyen atë disa muaj prapa, sipas një vlerësimi paraprak të inteligjencës amerikane.
Presidenti amerikan Donald Trump tha gjatë fundjavës se hedhja e bombave GBU-57 e “zhduki” programin bërthamor të Iranit.
Por ky pretendim duket se u kundërshtua nga një vlerësim fillestar i një prej agjencive të inteligjencës së administratës së tij, raporton sot Reuters bazuar në burime.
Një nga burimet tha se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit nuk ishin eliminuar dhe programi bërthamor i vendit, pjesa më e madhe e të cilit ndodhet thellë nën tokë, mund të jetë vonuar vetëm një ose dy muaj.
Irani thotë se programi i tij bërthamor është për prodhimin e energjisë, transmeton Paparaci.
Shtëpia e Bardhë tha se vlerësimi i inteligjencës është “krejtësisht i gabuar”. Sipas raportit, i cili u krye nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, sulmet mbyllën hyrjet e dy prej objekteve, por nuk shembën objektet nëntokësore.
Disa centrifuga të programit bërthamor kanë mbetur ende të paprekura pas sulmeve, tha Washington Post, duke cituar një person të paidentifikuar i cili e ka parë raportin.
Administrata e Trumpit i tha Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën se sulmet e në objektet bërthamore iraniane kanë “shkatërruar” programin bërthamor të Iranit.