Drilon Hajrizi pas shpalljes kampion me Trepçën: “Ky titull është më shumë se sport”

Publikuar më:

Basketbollisti i njohur i KB Trepça, Drilon Hajrizi, ka reflektuar për rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm drejt titullit kampion, duke e cilësuar këtë arritje si më shumë se një fitore sportive – një rikthim triumfues pas një sfide të vështirë personale.

“Sezoni nuk nisi me një gjuajtje, por me një goditje. Jo në fushë, por në shëndet,” ka rrëfyer Hajrizi, duke kujtuar momentin kur një problem shëndetësor e vuri përballë sfidës më të madhe të karrierës së tij – rikthimit në parket.

Ai tregon se çdo ditë rikuperimi ishte një hap drejt ëndrrës së tij, një pikë shprese që e mbante të lidhur me lojën që e do aq shumë. “Kur u ktheva, nuk isha aty vetëm për të luajtur. Kisha ardhur për të fituar,” ka thënë ai.

Nëpërmjet përkushtimit dhe sakrificës, Hajrizi dhe skuadra e Trepçës arritën të kurorëzohen sërish kampionë, duke fituar titullin pas një sezoni plot sfida dhe suksese. Ai ka falënderuar Zotin për shëndetin dhe mundësinë për t’u rikthyer në lojë, familjen për dashurinë dhe mbështetjen, ekipin dhe stafin për besimin dhe përkushtimin, si dhe të gjithë ata që e kanë parë jo vetëm si lojtar, por si luftëtar.

“Gjuha e kampionit nuk mësohet në libra. Ajo shkruhet me mund, lexohet me shpirt dhe flitet vetëm nga ata që guxojnë të mos dorëzohen,” ka theksuar Hajrizi në mesazhin e tij.

Ai ia ka dedikuar këtë titull qytetit të Mitrovicës dhe të gjithë atyre që ecin përpara, pavarësisht vështirësive: “Ky titull është për të gjithë ata që ecin përpara edhe kur rruga është e pjerrët, sepse zemrat e mëdha nuk ndalen kurrë, për sa kohë vazhdojnë të rrahin.”

Postimi i ploët nga Hajrizi:

Nga sfida në majë, KAMPION!

Sezoni nuk nisi me një gjuajtje, por me një goditje. Jo në fushë, por në shëndet. Ishte një sprovë që më tronditi deri në palcë dhe më vuri përballë pyetjes më të vështirë: a do të mundem të rikthehem?

Por nuk isha gati të largohem nga loja. Çdo ditë rikuperimi ishte si një pikëz shprese, si një hap drejt parketit, drejt ëndrrës sime që vlonte brenda meje. Dhe kur u ktheva, nuk kisha ardhur vetëm për të luajtur. Kisha ardhur për të fituar.
Kupë pas kupe, sfidë pas sfide, djersë pas djerse… deri sot, sërish: kampion.

Falënderoj Zotin e Madhërishëm për shëndetin, rikthimin dhe suksesin. Ky moment është më shumë se një fitore sportive, është një dëshmi e gjallë se besimi dhe këmbëngulja i japin kuptim çdo rikthimi. Faleminderit familjes për dashurinë e pakushtëzuar, ekipit për besimin, trajnerëve për durimin, menaxhmentit për mbështetjen e palëkundur dhe secilit që më pa jo vetëm si lojtar, por si luftëtar.

Gjuha e kampionit nuk mësohet në libra. Ajo shkruhet me mund, lexohet me shpirt dhe flitet vetëm nga ata që guxojnë të mos dorëzohen.
Ky titull është për të gjithë ata që ecin përpara edhe kur rruga është e pjerrët, sepse zemrat e mëdha nuk ndalen kurrë, për sa kohë vazhdojnë të rrahin!

Urime Mitrovicë!
DH12

.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.