Amerikani Brevin Galloway ka premtuar një tjetër paraqitje të mirë për Trepçën, këtë herë në kuadër të FIBA Europe Cup.
Të dielën e shkuar, Galloway debutoi te Trepça në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai shënoi 20 pikë në fitoren e Trepçës në udhëtim ndaj Bashkimit, ndërsa beson në një paraqitje të tillë edhe ndaj skuadrës franceze, Gravelines Dunkerque.
Trepça sot do të përballet në udhëtim me ekipin francez, në ndeshjen që nis në orën 20:00 dhe i takon Grupit G të FIBA Europe Cup. Skuadra nga Mitrovica debutoi në këtë garë javën e shkuar, ku pësoi humbje të thellë në shtëpi nga Leideni i Holandës me shifrat 84:54. Ndërkohë, në duelin me skuadrën Gravelines, skuadra e Trepçës synon fitoren e parë në grup. Galloway ka insistuar se si ai, ashtu edhe pjesa tjetër e ekipit, janë të gatshëm për një paraqitje të mirë në Francë. Ka pranuar se nuk do të jetë lehtë pasi përballë kanë një ekip të fortë si Gravelines, i cili është pjesë e elitës së basketbollit francez. Megjithatë, sipas tij, Trepça është përgatitur dhe do të luftojë deri në fund për t’u kthyer me fitore nga ky udhëtim i vështirë.
“Pres të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të luftojmë deri në fund për ta fituar këtë ndeshje të vështirë. Sigurisht, nuk do të jetë lehtë për shkak se Gravelines ka një ekip të mirë dhe përvojë në garat e FIBA-s. Megjithatë, ne jemi përgatitur dhe kemi punuar mirë për këtë përballje, e cila është shumë e rëndësishme për ne”, është shprehur Galloway të martën për KOHËN. “Për mua kjo do të jetë ndeshja e dytë me fanellën e Trepçës dhe do të mundohem të bëj një tjetër paraqitje të mirë për ta ndihmuar ekipin drejt fitores. Ekipi ka humbur javën e shkuar në këtë garë, por tani do të përpiqemi të bëjmë më të mirën për një fitore, që do të na shtynte përpara”.
Për dallim prej Trepçës që po debuton këtë edicion, Gravelines ka përvojë më të madhe, ndërsa në FIBA Europe Cup po paraqitet për herë të dytë. Herën e parë u paraqit në vitin 2017 dhe arriti deri në fazën e dytë të grupeve, ndërsa më herët ka luajtur edhe në EuroCup e Euroligë. Sa i përket kampionatit të Francës, Gravelines këtë edicion ka pasur një start tejet të dobët. Ka regjistruar nëntë humbje në po aq ndeshje të zhvilluara dhe zë vendin e fundit në tabelë. Në anën tjetër, Trepça ka pesë fitore e një humbje pas gjashtë xhirove të luajtura në Superligën e Kosovës. Si Trepça ashtu edhe Gravelines kanë vetëm nga një ndeshje të luajtur deri më tani në Grupin G, të cilit i prinë Leideni me gjashtë pikë të mbledhura. Ndeshjen me Hapoel Galil Elionin e Izraelit, Leideni e ka fituar me rezultat zyrtar, ndërsa ka mposhtur si Trepçën ashtu edhe skuadrën Gravelines. Trepçës i është shtyrë dueli me Hapoel Galil Elionin për shkak të situatës në Lindjen e Mesme dhe nuk dihet nëse do të zhvillohet më vonë apo ekipi izraelit do të tërhiqet nga garat/ Koha






