“El Classico” e basketbollit të Kosovës mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës dhuron spektakël sa herë që këto dy skuadra ndeshen mes vete, e sidomos kur ato ballafaqohen në ndeshjet e “Play-Off”-it. Trepça dhe Sigal Prishtina janë në garë për t’u kualifikuar në finale të “Play-Off”-it këtë edicion në basketbollin e Kosovës.
Aktin e parë e fitoi ekipi kryeqytetas me rezultat 82:70 në Prishtinë, ndërkohë Trepça mori hak në takimin e dytë, duke shënuar fitore 77:68 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Takimi i tretë do të zhvillohet sërish në Prishtinë, të enjten mbrëma me fillim nga ora 20:30.
Basketbollisti i Trepçës, Valdrin Haxhiu në një prononcim për lajmi.net ka komentuar takimin e zhvilluar para pak ditësh në Mitrovicë, ndërsa tregoi përparësitë e tyre.
“Ndeshja në Mitrovicë filloi me një ritëm të mirë nga ana jonë duke ditur fuqinë tonë dhe pikat e dobëta të kundërshtarit arritëm mirë të startojmë edhe arritëm qëllimin tonë duke fituar lojën. Përparësitë tona që përveç “Torcidës”, që është motiv shtesë për ne, përparësi mund të them se ishte energjia dhe koncentrimi më i lartë nga ana jonë”, tha Haxhiu të mërkurën për lajmi.net.
Ai u shpreh optimist se “Minatorët” do të dalin me kokën lartë edhe nga Pallati i Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.
“Nëse kujtojmë edhe lojën e fundit në kampionat kundër Prishtinës, po ashtu lojën e parë të gjysmëfinales, në dy ndeshjet që kemi humbur kemi dominuar gjith lojën. Ne besojmë fuqishëm që jemi ekip më i kompletuar dhe kemi atmosferë shumë të mirë dhe besim që lojën në Prishtinë të korrim fitore”, shtoi Haxhiu.
Sa i përket çështjes së titullit kampion, Haxhiu tha se ajo varet nga vetë Trepça.
“Trajneri ynë ka shumë besim në ekipin tonë. Po ashtu ne besojmë që nëse ne luajmë lojën tonë, atëherë besoj se gjithçka varet nga vet ne Trepça për titull të kampionit” – theksoi ai më tej.
Haxhiu i është kundërpërgjigjur edhe trajnerit të Sigal Prishtinës, Ahmet Kandemir i cili ka pasur vërejtje për tifozët mitrovicas, të cilët sipas tij, në Mitrovicë kanë sharë me nënë një basketbollist të Prishtinës gjatë tërë ndeshjes.
Haxhiu tha se me sharje është përballur edhe bashkëlojtari i tij, Drilon Hajrizi gjatë takimit të parë, por që askush nuk ka reaguar dhe se lufta e tyre është në parket, jo në tribuna.
“E kam dëgjuar intervistën e trajnerit Kandemir dhe befasohem nga fjalët e nje trajneri që humb bukurinë dhe shkëlqimin e tifozëve. Nuk arsyetohen sharjet, mirëpo ne e kemi punën në parket dhe tifozët në tribuna. Vlen të ceket që Drilon Hajrizi gjithë lojën në Prishtinë ka pasur fyerje edhe askush nuk është ankuar. Lufta është në parket. Në tribuna nuk ka garë, sepse është fituar moti kohë”, përfundoi Haxhiu.
Kujtojmë se skuadra që fiton tri ndeshje në gjysmëfinale të “Play-Off”-it do të kualifikohet në finale.
Trepça ose Sigal Prishtina do të përballen në finale me fituesin e takimit Golden Eagle Ylli – Peja.









