Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.
Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë ka rrëfyer në Polici një grua nga Vushtrria, e cila e denoncoi bashkëshortin me të cilin është e martuar që 10 vjet, pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj saj.
Në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë thuhet se në këto vjet ka përjetuar dhunë fizike e psikike sistematikisht. Por rasti të cilin e denoncoi dyshohet se ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, kur i dyshuari tentoi ta sulmojë fizikisht, çka e shtyu atë të kërkojë ndihmë dhe të mos hesht më.
Ajo ia mësyu stacionit policor me shpresën së do të përfundojnë telashet në familjen e saj. Pas raportimit të rastit, u kuptua se konflikti i fundit mes tyre kishte nisur për shkak të pagesës së qirasë për banesën ku ata jetojnë. Sipas viktimës, i dyshuari ia kishte marrë dhjetëra euro pa leje dhe aty nisi sherri.
Raportimi i viktimës e bëri Policinë të aktivizohet, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në Polici, ku ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë familje”, kurse gruaja është dërguar në strehimore.






