37 persona u proceduan në gjykatë pas manifestimeve të “Vidovdan”-it

Publikuar më:

Policia e Kosovës ka njoftuar se manifestimet e mbajtura të dielën me rastin e “Vidovdan-it” janë zhvilluar pa incidente që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e aktiviteteve, ndërsa 37 persona janë shoqëruar në stacion policor dhe janë proceduar në gjykatë për shkak të thirrjeve provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes.

Sipas Policisë, institucionet e sigurisë kishin ndërmarrë paraprakisht masa planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar.

“Nga njësitet policore të angazhuara në terren nuk është raportuar ndonjë rast që ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Megjithatë, autoritetet bëjnë të ditur se 37 persona janë shoqëruar për intervistim, pasi dyshohet se kanë provokuar pjesëmarrësit me thirrje që përmbanin elemente të nxitjes së urrejtjes, në kundërshtim me dispozitat ligjore. Një personi tjetër i është shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me organet e drejtësisë dhe se, pas intervistimit, 37 personat janë proceduar në gjykatë, ku pritet vendimi për rastet e tyre.

Pas përfundimit të aktiviteteve gjatë orëve të pasdites, të gjithë pjesëmarrësit janë shpërndarë qetësisht.

Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke ritheksuar përkushtimin e saj për garantimin e rendit publik, sigurisë dhe zbatimin e ligjit për të gjithë qytetarët pa dallim.

JU REKOMANDOJMË