Nga shkeljet në prokurim deri te pagesat e parregullta për policë të suspenduar dhe punonjës që nuk paraqiteshin në vendin e punës, auditimi zbulon shkelje të mëdha në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për vitin 2025, në të cilin ka evidentuar një sërë parregullsish në prokurim, menaxhimin e financave dhe administrimin e personelit.
Raporti ka rezultuar me opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare, ndërsa auditorët kanë konstatuar se ministria ka pranuar një automjet në vlerë prej 89,900 euro që nuk i plotësonte specifikimet teknike të kontratës, ka klasifikuar gabimisht mbi 10 milionë euro shpenzime, ka mbivlerësuar detyrimet kontingjente për 2.7 milionë euro, si dhe ka vazhduar pagesat e shtesave për policë të suspenduar dhe pagat për punonjës që nuk kishin vijueshmëri në punë.
Për këto dhe gjetje të tjera, ZKA ka dhënë 12 rekomandime, duke kërkuar nga MPB-ja që të ndërmarrë masa për forcimin e kontrolleve të brendshme, përmirësimin e proceseve të prokurimit dhe menaxhimin më të rregullt të financave dhe burimeve njerëzore.
Pranimi i automjetit 89 mijë euro që nuk i plotësonte specifikimet e tenderit
Një nga gjetjet më serioze të Zyrës Kombëtare të Auditimit ka të bëjë me pranimin e një automjeti të specializuar në vlerë prej 89,900 euro, i cili sipas auditorëve nuk ishte në përputhje me specifikimet teknike të përcaktuara në kontratë.
Auditorët sqarojnë se sipas Rregullores për Prokurimin Publik, specifikimet teknike janë kërkesa obligative dhe çdo operator ekonomik duhet t’i plotësojë ato që oferta të konsiderohet e përgjegjshme. Megjithatë, gjatë auditimit është konstatuar se në kontratën “Furnizim me xhip dhe kombibus”, automjeti i pranuar kishte devijime të qarta nga kërkesat e tenderit.
Në dosjen e tenderit ishte kërkuar që automjeti të ishte i prodhuar në vitin 2024, ndërsa komisioni pranoi një automjet të prodhuar në vitin 2023.
Përveç vitit të prodhimit, automjeti nuk përputhej as me disa karakteristika të tjera teknike. Tenderi kishte kërkuar gjatësi prej 5,990 deri në 6,000 milimetra, ndërsa automjeti i dorëzuar kishte gjatësi 5,981 milimetra. Po ashtu, lartësia e kërkuar ishte 2,790 deri në 2,800 milimetra, ndërsa automjeti i pranuar kishte lartësi 2,786 milimetra.
Një tjetër dallim lidhej me motorin. Dokumentet e tenderit kërkonin motor me kapacitet 2.2 deri në 3.0 litra, ndërsa automjeti i pranuar ishte i pajisur me motor 2.0 litra.
Policëve të suspenduar iu paguan shtesa për rrezik edhe pse nuk punonin
Auditimi ka zbuluar se Policia e Kosovës ka vazhduar t’u paguajë shtesën për kushte specifike të punës edhe zyrtarëve të suspenduar.
Në total, gjatë vitit 2025 janë paguar 26,580 euro për këtë kategori.
Pas raportit të vitit të kaluar, Policia kishte ndërmarrë masa që nga korriku i vitit 2025 për ndërprerjen e këtyre pagesave. Megjithatë, auditorët gjetën se 19 zyrtarë policorë, edhe pas muajit korrik, vazhduan të merrnin shtesën për kushte specifike në vlerë prej 2,620 euro, ndonëse ishin të suspenduar dhe nuk ushtronin detyrën.
Sipas rregullores, kjo shtesë paguhet vetëm për zyrtarët që gjatë ushtrimit të detyrës përballen drejtpërdrejt me rrezik për jetën ose shëndetin.
Auditimi vëren se pagesat vazhduan për shkak të mosveprimit në kohë të personave përgjegjës dhe mungesës së kontrolleve efektive, pavarësisht se statusi i zyrtarëve ishte i dokumentuar.
Auditorët paralajmërojnë se kjo praktikë jo vetëm që dëmton buxhetin e shtetit, por krijon edhe pabarazi ndaj policëve që realisht punojnë në terren dhe ekspozohen ndaj rrezikut.
119 mijë euro paga për punonjës që nuk shkuan asnjë ditë në punë
Një nga gjetjet më të pazakonta të auditimit lidhet me pagesat për punonjësit e komunitetit serb.
Sipas auditorëve, këta punonjës ishin sistemuar vite më parë në kuadër të institucioneve të Kosovës, por asnjëri prej tyre nuk kishte ushtruar detyrën.
Megjithatë, pagat vazhduan të ekzekutoheshin rregullisht.
Gjatë vitit 2025, Ministria ndërmori hapa për transferimin e tyre në Qendrat për Pajisje me Dokumente dhe Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve në kuadër të Agjencisë për Regjistrim Civil.
Katër prej tyre u larguan nga shërbimi civil me masa disiplinore dhe nga shtatori nuk u paguan më.
Ndërsa 15 punonjës të tjerë kundërshtuan transferimin dhe paraqitën ankesa në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, duke lënë çështjen ende të pazgjidhur.
Përkundër këtyre zhvillimeve, gjatë vitit 2025 Ministria pagoi 119,999 euro paga për këta punonjës, ndonëse ata nuk kishin evidencë të vijueshmërisë në punë.
Sipas auditorëve, pagesat pa vijueshmëri përbëjnë pagesa të parregullta dhe kanë shkaktuar dëm financiar për buxhetin e shtetit.
58 policë vazhduan të marrin 50 për qind të pagës edhe pas skadimit të afatit ligjor
Një tjetër problem i evidentuar nga ZKA lidhet me pagesat për zyrtarët policorë të suspenduar.
Ligji parasheh që një polic i suspenduar mund të marrë 50 për qind të pagës bazë për maksimumi gjashtë muaj.
Megjithatë, deri në fund të vitit 2025, Policia e Kosovës kishte 58 zyrtarë që vazhdonin të kompensoheshin edhe pasi kishte kaluar ky afat.
Auditimi zbulon se disa prej tyre ishin të suspenduar që nga viti 2022, por pagesat vazhdonin ende.
Sipas auditorëve, kjo lidhet me faktin se shumë procedura penale zgjasin më shumë se gjashtë muaj, ndërsa udhëzimi administrativ nuk e rregullon qartë se çfarë ndodh pas skadimit të këtij afati.
ZKA vlerëson se kjo situatë krijon kosto shtesë për buxhetin dhe ul fondet në dispozicion për nevoja të tjera të Policisë së Kosovës.
391 policë ushtrojnë pozita për të cilat nuk e kanë gradën e kërkuar
Auditimi evidenton edhe probleme serioze në menaxhimin e burimeve njerëzore në Policinë e Kosovës.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Personelit, 391 zyrtarë policorë ushtrojnë funksione që kërkojnë gradë më të lartë sesa ajo që aktualisht posedojnë.
Ky numër është rritur krahasuar me vitin paraprak, kur ishin evidentuar 341 raste, duke shënuar rritje prej 50 zyrtarësh.
Sipas auditorëve, kjo situatë është krijuar pas zbatimit të strukturës së re organizative, me krijimin e departamenteve, divizioneve dhe drejtorive të reja, pa u harmonizuar njëkohësisht procesi i gradimeve.
Vetëm në muajin maj 2026 është miratuar korniza rregullative që mundëson fillimin e procedurave të gradimit.
Mbi 10 milionë euro u klasifikuan gabimisht në pasqyrat financiare
Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me mënyrën se si Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur shpenzimet në pasqyrat financiare.
Sipas auditimit, gjatë vitit 2025, bazuar në vendime gjyqësore, Thesari kishte ekzekutuar pagesa direkte në vlerë prej 12.56 milionë euro, kryesisht për paga të zyrtarëve policorë.
Megjithatë, këto pagesa nuk u regjistruan në kategoritë ekonomike përkatëse. Nga kjo shumë, 10.06 milionë euro u paguan nga kategoria e investimeve kapitale, 2.31 milionë euro nga mallrat dhe shërbimet, ndërsa 185 mijë euro nga subvencionet dhe transferet.
Auditimi thekson se pagesat ishin kryesisht për paga, shtesa, interesa dhe shpenzime përmbarimore, të cilat sipas legjislacionit duhej të regjistroheshin në kategorinë e pagave dhe jo si investime kapitale.
Sipas auditorëve, kjo ndodhi për shkak se obligimet nuk ishin planifikuar me kohë dhe gjatë përgatitjes së buxhetit nuk ishin ndarë fondet e nevojshme për ekzekutimin e këtyre vendimeve gjyqësore.
Si pasojë, pasqyrat financiare nuk pasqyrojnë në mënyrë të drejtë strukturën reale të shpenzimeve të ministrisë. Auditorët paralajmërojnë se klasifikimi i gabuar mund të çojë në vendimmarrje të pasakta nga menaxhmenti dhe përdoruesit e pasqyrave financiare.
Detyrimet kontingjente u mbivlerësuan për 2.7 milionë euro
Auditimi ka konstatuar gjithashtu se Ministria kishte raportuar gabimisht edhe detyrimet kontingjente.
Sipas ZKA-së, këto detyrime rezultuan të mbivlerësuara për 2,731,577 euro.
Nga auditimi rezultoi se në shtatë raste, për shkak të regjistrimeve të gabuara në sistem, detyrimet ishin mbivlerësuar për 1,067,599 euro.
Po ashtu, në 15 raste të tjera me vlerë 1,663,978 euro, lëndët vazhdonin të figuronin si aktive edhe pse ato tashmë kishin marrë vendim përfundimtar në gjykatën e shkallës së dytë dhe duhej të ishin mbyllur.
Auditorët konstatojnë se mungesa e përditësimit të listave të detyrimeve kontingjente, mungesa e koordinimit ndërmjet njësive përgjegjëse dhe gabimet gjatë migrimit të të dhënave në sistemin PRIMS kanë bërë që pasqyrat financiare të mos paraqesin gjendjen reale.
Sipas ZKA-së, kjo ul besueshmërinë e raportimit financiar dhe krijon një pasqyrë të pasaktë për obligimet potenciale të shtetit.









