“100 mijë për vëllain, 100 mijë për dajën”, rrugëtimi i Fitore Pacollit drejt postit të Liburn Aliut, të pasuruar nga pushteti

Publikuar më:

Gjatë vitit 2024, gjithsej 200 mijë euro, 100 mijë për vëllain dhe 100 mijë për dajën, iu ndanë familjarëve të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli. Tashmë, me formimin e Qeverisë Kurti 3, ajo ka marrë drejtimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, post që deri vonë mbahej nga Liburn Aliu.

 
Vëllai i saj, Blerim Pacolli, kishte përfituar grant për ndërtimin e një stalle dhe për lopë qumështore. Ai kishte aplikuar përmes kompanisë “Alda Farm Ria”, e cila sipas të dhënave të ARBK-së ishte regjistruar vetëm disa ditë para se të shpallej përfituese e grantit.

Rasti u bë publik nga sekretari i Përgjithshëm i Forumit Rinor të LDK-së, Egzon Pacolli.

“Familjarët janë veç për dasma, thoshte Lëvizja Vetëvendosje para se me ardhë në pushtet. Ama, deputetja Fitore Pacolli e ka shpërbly vëllaun me grant gati 100 mijë euro, prej Ministrisë së Bujqësisë”, thoshte ai.

Pak muaj më vonë, u ngritën dyshime edhe për një grant tjetër, prej 100 mijë eurosh, që i ishte ndarë dajës së Pacollit, Sylejman Islamit.

Këto skandale e kanë shoqëruar rrugëtimin politik të Pacollit drejt postit që deri në vitin 2025 mbahej nga Liburn Aliu.

Aliu kishte shërbyer si ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nga marsi 2021 deri në gusht 2025. Gjatë mandatit të tij ishte përballur me akuza dhe hetime të ndryshme.

Në vitin 2021, Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj tij dhe disa zyrtarëve të tjerë, por Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte hedhur poshtë aktakuzën dhe kishte pushuar procedurën penale.

Në vitin 2024 u raportua për falje të borxheve ndaj kompanive të ambalazhimit të ujit, akuza që Aliu i kishte mohuar, duke i cilësuar si politike dhe të pabazuara.

Po ashtu, ndaj tij pati pretendime për ndikim në procese zgjedhore, përfshirë akuza nga kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, për ndërhyrje në zgjedhjet lokale, pretendime që nuk prodhuan epilog gjyqësor.

Sa i përket pasurisë, deklarimet e Aliut ndër vite tregojnë prona, banesa dhe detyrime financiare. Ai ka deklaruar një arë të trashëguar prej 762 m², automjete, si dhe dy banesa në lagjen “Marigona Hill” në Prishtinë, të blera me detyrime financiare të konsiderueshme. Të ardhurat e tij vjetore përfshinin pagën si ministër, mëditje nga udhëtimet zyrtare dhe honorare si profesor.

JU REKOMANDOJMË