16-vjeçari që zgjodhi uniformën e luftës në vend të kostumit të maturantit

Publikuar më:

16-vjeçari që zgjodhi uniformën e luftës në vend të kostumit të maturantit

Hysni (Ramiz) Xhemajli është njëri nga dëshmorët më të rinj të Kosovës, i cili ra duke luftuar për çlirimin e trojeve shqiptare, në luftën e Maqedonisë, nën emblemën e UÇK-së.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, i vetëdijshëm se lufta për çlirimin e tokave shqiptare nuk kishte përfunduar, iu bashkua radhëve të Ushtrisë Kombëtare në Maqedoni. Ndonëse Hysniu ishte i ri për nga mosha, në vetëdijen e tij ishte pjekur kaherë ndjenja e atdhedashurisë, duke qenë me origjinë nga një familje me pikëpamje patriotike. Morali i tij luftarak ishte i lartë, ndërsa për moto kishte thënien “Kudo që flitet shqip, është vendi im”. Kur Kosova u përfshi në luftë, ai ende nuk i kishte mbushur 14 vjet, por në shpirt e zemër i vlonte gjaku dhe gjakimi për liri dhe shpeshherë u thoshte shokëve dhe miqve se kjo gjendje nuk mund të durohej. Kosova ka nevojë të jetë e lirë, sikur të gjitha vendet dhe popujt tjerë të botës, thoshte ai. Edhe pse shumë i ri në moshë, Hysniu filloi të ndërmerrte veprime konkrete për realizimin e kauzës kombëtare, ëndrrës shekullore për çlirimin e Kosovës, duke u kujdesur për ushtarët e UÇK-së që ishin të pozicionuar në fshatin e tij dhe i ndihmonte ata duke u dërguar ushqime dhe shpeshherë bënte edhe roje ditë e natë.

Lagjja e tij njihet historikisht si strehë e kryengritësve shqiptarë, të cilët nëpër shekuj luftuan kundër pushtuesit. Këtu, kaçakët shqiptarë, kryengritës të kohës, gjithmonë kanë gjetur strehë, besë e bukë. Pas mbarimit të luftës në Kosovë, Hysniu vazhdoi mësimet aty ku i kishte ndërprerë në vitin 1999. Nuk e zinte vendi-vend që t`i bashkohej UÇK-së dhe UÇPMB-së, por për shkak të moshës, nuk e pranonin të rreshtohej nën këto emblema të lirisë. Hysniu s`e kishte frikë luftën, as plumbin, sepse ai mendonte vetëm për lirinë, shkruan portali mediafokus.info. Kur ranë krismat e para në Sharr të Tetovës, Hysniu nuk priti më, i la bankat e shkollës dhe u rreshtua në frontin e luftës.

Familjes i la amanet që ta përcjellin tutje mesazhin “Kudo ku flitet shqip, është vendi im”. Bashkimi me UÇK-në, ishte aspiratë e tij jetësore. Në Brigadën 112 “Mujdin Aliu” u dallua për trimëri, aftësi ushtarake dhe shkathtësi luftarake. Më 10 qershor 2001 u plagos rëndë nga forcat sllavo-maqedonase dhe nga plagët e marra ndërroi jetë në spitalin e Prizrenit. Hysni Xhemajli, pa arritur të kryente maturën, pa arritur t`i vishte rrobat e dhëndrit dhe pa e pritur dasmën e vetë, zgjodhi uniformën e UÇK-së dhe u martua me lirinë e vendit të tij, që e kishte ëndërr jetësore. Dëshmori Hyseni Xhemajli është varrosur me nderime ushtarake e qytetare në Gjilan, në varrezat e dëshmorëve, ku në çdo përvjetor të rënies së tij, vijnë për nderime familja nga Vërbica e Gjilanit dhe Sllovia e Lipjanit. Hysni Xhemajli u lind më 12 mars 1984 në Vërbicë të Zhegocit dhe ishte fëmija i katërt i Ramiz e Minire Xhemajlit.

JU REKOMANDOJMË