Vesa Broja reagon pas kritikave: Vendimi im në Kuvend ishte i bazuar në parime dhe përgjegjësi publike

Publikuar më:

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Vesa Broja, ka reaguar pas raportimeve dhe kritikave në lidhje me qëndrimin e saj në mbledhjen e fundit të Kuvendit, duke theksuar se vendimi i saj për të mos marrë pjesë në votim ka qenë i qëllimshëm dhe i mbështetur në bindjet e saj personale si përfaqësuese e qytetarëve.

Ajo ka sqaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka pasur një qëndrim zyrtar për çështjen e diskutuar, dhe rrjedhimisht, veprimi i saj nuk përfaqëson kundërshtim ndaj partisë apo udhëheqësisë së saj.

Broja ka bërë të ditur se nuk ka qenë kundër projektit të propozuar, të cilin e konsideron të rëndësishëm për qytetin dhe qytetarët, por se ka pasur mospajtime në disa aspekte të tij që, sipas saj, duhet të plotësohen për të përmbushur më mirë nevojat e komunitetit. Ajo ka theksuar se mungesa e kushteve për një vendimmarrje të qartë e ka shtyrë të ruajë një qëndrim të paanshëm dhe të matur, duke mos u përfshirë në votim.

Në reagimin e saj publik, Broja ka shprehur keqardhje për keqinterpretimet mediatike dhe linçimet publike ndaj saj, duke paralajmëruar se do të ndjekë rrugë ligjore për të mbrojtur integritetin e saj. Ajo rithekson se qëndrimi i saj politik mbetet i pandryshuar, dhe se do të vazhdojë të veprojë në përputhje me ndërgjegjen dhe interesin publik.

Postimi i plotë i Vesa Brojës:

Lidhur me raportimet e fundit rreth qëndrimit tim në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Mitrovicë, dëshiroj të sqaroj opinionin publik dhe qytetarët tanë se vendimi im ka qenë i bazuar në bindjet dhe parimet e mia si përfaqësuese e tyre.

Theksoj qartë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka pasur një qëndrim zyrtar për pikën në fjalë, prandaj vendimi im nuk përfaqëson asnjë formë kundërshtimi ndaj partisë apo udhëheqësisë së saj.

Në seancën e djeshme, nuk kam kundërshtuar projektin e tillë sepse është shumë i rëndësishëm për qytetin dhe qytetarët. Megjithatë, konsideroj se ai ka hapsirë të plotësohet në disa pjesë të tij, në mënyrë që të përmbushë sa më mirë nevojat reale të komunitetit në përgjithësi. Për këtë arsye kam vendosur të mos marr pjesë fare në votim. Ky ishte një vendim i qëllimshëm, i mbështetur në bindjet e mia dhe në mungesën e kushteve të nevojshme për një vendimmarrje të qartë dhe të përgjegjshme. Me këtë veprim, synova të mos bëhem pjesë e asnjërës palë dhe të ruaj një qëndrim të paanshëm e të matur në raport me çështjen në fjalë.

Çdo vendim i imi në Kuvend buron nga analiza dhe ndjenja e përgjegjësisë ndaj interesit të qytetarëve, dhe jo nga ndonjë motiv personal apo ndikim që mund të keqinterpretohet si tradhti apo përçarje.

Qëndrimi im politik mbetet i palëkundur. Por, njëkohësisht ndjej obligim moral dhe institucional që të veproj gjithmonë me ndërgjegje dhe në përputhje me interesin publik.

Fatkeqësisht, disa media kanë zgjedhur të keqinterpretojnë këtë vendim dhe të cenojnë padrejtësisht integritetin tim, duke ndërtuar narrativa që nuk përputhen me të vërtetën. Pavarësisht linçimeve që po më bëhen për disa klikime, unë vazhdoj të jem po e njëjta Vesa Broja – me parime, me etikë dhe me përgjegjësi ndaj qytetarëve. Dhe për të gjitha këto linçime të padrejta, do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore përmes institucioneve relevante.

Ashtu si deri më sot, do të vazhdoj të qëndroj e palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe në përputhje me përgjegjësinë që më është besuar.

Me respekt,
Vesa Broja
Kryesuese e Kuvendit Komunal të Mitrovicës

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.