Kastriot Jashar nga Mitrovica, vëllai i dëshmorit Artim Jashari, është emëruar ushtrues detyre i Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës
Lajmin e ka bërë të ditur ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, përmes një njoftimi publik.
Sipas tij, emërimi i Jasharit është pjesë e një procesi më të gjerë reformimi të Inspektoratit Qendror të Punës, i cili, siç theksoi ai, është ndër prioritetet kryesore të mandatit të tij. Hoti ka nënvizuar se Inspektorati i Punës nuk mund të operojë me kapacitete të kufizuara dhe se respektimi i të drejtave të punëtorëve kërkon reagim efikas dhe zbatim të plotë të ligjit.
Ai ka paralajmëruar hapa konkretë për rritjen e numrit të inspektorëve, forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes, digjitalizimin e plotë të institucionit dhe garantimin e zbatimit të ligjit në çdo rast.
Ministri Hoti theksoi se Jashari do ta ketë mbështetjen e tij të plotë në këtë proces reformues, ndërsa falënderoi edhe ushtruesin e deritanishëm të detyrës, Vesel Zhinipotoku, për angazhimin dhe kontributin e tij.






