Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka reaguar ashpër ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar për mungesë komunikimi dhe mosdhënie të pagës së 13-të për punëtorët.
Sipas Jasharit, Sindikata ka dërguar kërkesa për takim dhe sqarim tash e dy muaj, por, siç thotë ai, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga ministria. Ai thekson se ka pasur “heshtje totale”, ndërsa shton se reagimi i institucioneve vjen vetëm pasi punëtorët detyrohen të protestojnë.
Ai kujton se punëtorët e KEK-ut kanë mbështetur me votë qeverinë aktuale, duke shprehur pritjet që, sipas tij, nuk janë përmbushur. “Kemi besuar se do të sillni drejtësi, jo diskriminim dhe injorancë ndaj punëtorëve që mbajnë dritën e këtij vendi”, thuhet në reagimin e tij.
Jashari e cilëson mosdhënien e pagës së 13-të si padrejtësi dhe nënçmim ndaj punëtorëve të sektorit energjetik, duke theksuar se përgjegjësia për situatën bie mbi institucionet përkatëse.






