Kompania “Aurora Group” është njëra nga kompanitë më të mëdha dhe më të sukseshme në gjithë rajonin e Mitrovicës.
Kjo kompani mitrovicase udhëhiqet nga themeluesi i saj, Valdet Fejzullahu, shkruan Jepi zë.
Mitrovicasi Fejzullahu, sot është një biznesmen shumë i suksesshëm në fushën e ndërtimit, por edhe njihet si humanist dhe financues i shumë klubeve sportive në Mitrovicë.
Mirëpo deri tek ky sukses, biznesmeni Fejzullahu kishte kaluar nëpër shumë vështirësi, së pari për ta ndihmuar familjen.
Ai nga mosha 8 vjeçare deri kur mbushi 11 vjet, kishte punuar me karrocë në tregun e Mitrovicës.
Pas kësaj pune të rëndë për një fëmijë të asaj moshe, Valdeti kishte shitur cigare nëpër rrugët e qytetit deri kur ishte bërë 16 vjeçar. Edhe kjo një punë jo e lehtë për një fëmijë.
Nga 16 deri në moshën 19 vjeçare, Valdeti kishte migruar në Gjermani për të punuar dhe ta mbajtur familjen e tij në Kosovë.
Pasi ishte kthyer nga Gjermania kishte filluar të punojë me një biznes privat, duke gjetur shtëpi me qera për policët dhe ndërkombëtarët që vepronin në Mitrovicë. Ndërsa, pas një kohe, ai vendos që ta hap një qebaptore në Mitrovicë, ku për një kohë kishte punuar duke derdhur shumë djersë pune.
Por, aspiratat e Valdetit nuk u ndalen, pasi ai nisi që të blejë banesa dhe shtëpi me paratë e mbledhura dhe me ndihmën e familjes.
Momenti kthyes i tij është kur vendosi t’i shes të gjitha dhe ta blejë një pronë në lagjen Bair, ndërsa me marrjen e një kredie vendos të hyjë në biznesin e ndërtimit, biznes të cilin me shumë sukses ka arritur ta zhvillojë dhe ta ngrisë.
Tani kompania “Aurora Group” është një nga punëdhënësit kryesor në Mitrovicë, dhe kjo falë peripecive që kaloi themeluesi i saj, Valdeti.









