Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët në Qeveri, kanë filluar procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës në kundërshtim të plotë dhe të hapur me Kushtetutën e shtetit.
Kushtetuta e Kosovës kërkon që “zgjedhja e Presidentit bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetë”, pra 80, megjithkëtë, mazhoranca e udhëhequr nga Kurti, ndonëse nuk ka arritur që të sigurojë më shumë se 64 deputetë, ka filluar votimin për të zgjedhur Presidentin e Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Kushtetuta aktuale e Kosovës është dokumenti më i lartë juridik i shtetit të ri, e miratuar me mbështetjen ndërkombtare dhe e cila hyri në fuqi në prillin e vitit 2008, vetëm dy muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës.
Por, pavarësisht rëndësisë së madhe që ka kjo Kushtetutë, në veçanti, dhe respektimi i shtetit ligjor, në përgjithësi, – kryeminsitri Kurti dhe Vetëvendosje, përmes ndjekjes së rrugëve jokushtetuese në zgjedhjen e Presidentit, janë duke krijuar argumente të fuqishme për kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës.
Prej vitesh, propaganda serbe ka tentuar të paraqesë Kosovën si një shtet jofunksional, me institucione të brishta, mungesë të sundimit të ligjit dhe me klasë politike të paaftë për të mbajtur shtetin.
Në këtë kontekst, mënyra e menaxhimit të proceseve të rëndësishme shtetërore, siç është zgjedhja e Presidentit, merr një peshë të veçantë. Çdo rrugë e nisur hapur duke shpërfillur plotësisht Kushtetutën e shtetit, mund të ndikojë në perceptimin e funksionimit të vetë shtetit të Kosovës.
Në mënyrë të veçantë, zhvillimet politike të brendshme, sidomos ato që lidhen me procese të rëndësishme si zgjedhjet apo formimi i institucioneve, mund të përdoren për të forcuar këtë imazh negativ.
Ky lloj portretizimi synon të ndikojë në opinionin ndërkombëtar, duke vënë në dyshim kapacitetin e Kosovës për të funksionuar si shtet demokratik dhe për të ndërtuar institucione të qëndrueshme.
Për këtë arsye, mënyra se si menaxhohen proceset e brendshme dhe respektimi i standardeve demokratike mbeten thelbësore jo vetëm për funksionimin e brendshëm, por edhe për perceptimin e vendit në arenën ndërkombëtare.







