SKANDAL NË UIBM: Gjykata rrëzon zgjedhjen e rektores, vendimi shpallet i kundërligjshëm

Publikuar më:

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil, në çështjen juridike kontestimore të paditësit Izet Zeqiri, i përfaqësuar nga Ragip Kadriu, avokat me seli në Mitrovicë, kundër të paditurës Universiteti “Isa Boletini” me seli në Mitrovicë, të cilën sipas autorizimit e përfaqëson Valmira Sadiku, me objekt të kontestit: anulim i vendimit, pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit kryesor të datës 21.01.2026, nxjerr këtë:

AKTGJYKIM

I. Aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e paditësit Izet Zeqiri, me vendbanim në rrugën “Rruga e Tomorit” nr. 200 në Mitrovicë.

II. Anulohet si i kundërligjshëm Vendimi me nr. protokolli 589, i datës 22.03.2024, i nxjerrë nga Këshilli Drejtues i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, me të cilin vendim është zgjedhur në pozitën e rektores në Universitetin “Isa Boletini” Nurten Deva.

III. Detyrohet e paditura, Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, që paditësit Izet Zeqiri t’ia paguajë shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë të përgjithshme prej 320 euro, në afat prej 7 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit të detyrueshëm.

Arsyetim

Paditësi Izet Zeqiri, më datë 02.04.2024, pranë kësaj gjykate ka ushtruar padi për anulimin e Vendimit nr. 589 të datës 22.03.2024 të Këshillit Drejtues të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, me të cilin është zgjedhur në pozitën e rektores kandidatja Nurten Deva.

Fillimisht, gjykata shqyrtoi juridiksionin e kësaj çështjeje dhe, bazuar në nenin 1 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK), si dhe në dispozitat e Ligjit të Punës nr. 03/L-212, konkretisht nenin 79, konstatoi se çështja bën pjesë në juridiksionin gjyqësor civil dhe kjo gjykatë është kompetente për të vendosur.

Gjykata, duke shqyrtuar kërkesëpadinë, gjeti se paditësi ka plotësuar kushtet ligjore për të ngritur një kontest pune në gjykatë, në përputhje me dispozitat e Ligjit të Punës. Konkretisht janë vlerësuar nenet 78 dhe 79, të cilat përcaktojnë të drejtat dhe procedurat për ngritjen e një padie në rast të kontesteve të punës.

Gjykata konkludoi se padia është parashtruar brenda afatit ligjor të përcaktuar dhe vazhdoi me shqyrtimin e mëtejmë të rastit. Nga provat e administruara, gjykata konkludoi se e paditura, Universiteti “Isa Boletini” (UIBM), përmes Këshillit Drejtues, ka nxjerrë vendimin me nr. protokolli 589 të datës 22.03.2024, me të cilin është zgjedhur në pozitën e rektores kandidatja Nurten Deva.

Pala paditëse legjitimohet t’i drejtohet gjykatës me këtë padi, pasi pretendon se i janë shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës dhe kërkon rivendosjen e tyre.

Pretendimet e palëve ndërgjyqëse

I autorizuari i paditësit, avokati Ragip Kadriu, në fjalën përfundimtare deklaroi se nga provat e administruara rezulton se vendimi i Këshillit Drejtues për zgjedhjen e rektorit është marrë në kundërshtim me kushtet e konkursit dhe parimin e ligjshmërisë. Sipas tij, konkursi publik ka kërkuar paraqitjen e diplomës përkatëse, përvojën menaxheriale dhe dëshminë që kandidati nuk është i dënuar. Ai theksoi se kandidatja e përzgjedhur ka paraqitur diplomë që nuk i plotësonte kushtet formale, si dhe vetëm vërtetim nga policia, i cili nuk mund ta zëvendësojë certifikatën e gjykatës që dëshmon se kandidati nuk është i dënuar.

Sipas tij, mungesa e dokumentacionit adekuat për përvojën menaxheriale akademike përbën mungesë të kushteve esenciale dhe kandidatja duhej të përjashtohej nga procedura. Këshilli Drejtues, sipas paditësit, nuk kishte diskrecion të anashkalojë kushtet e konkursit, pasi një veprim i tillë cenon barazinë e kandidatëve dhe sigurinë juridike.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e të paditurës, Valmira Sadiku, deklaroi se Universiteti “Isa Boletini” qëndron në tërësi pranë përgjigjes në padi dhe se pretendimet e paditësit janë të pabazuara si në aspektin faktik ashtu edhe juridik. Sipas saj, çështja nuk ka të bëjë me cenimin e ndonjë të drejte subjektive të paditësit, por me pakënaqësinë ndaj rezultatit të një procedure zgjedhore të zhvilluar në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë, Statutin e Universitetit dhe aktet nënligjore përkatëse.

Pas administrimit të provave dhe analizimit të dokumentacionit, gjykata konstatoi se Këshilli Drejtues ka tejkaluar kompetencat e parapara me Statutin dhe Rregulloren e Universitetit, duke plotësuar listën e kandidatëve me kandidaten Nurten Deva, e cila nuk i kishte plotësuar kushtet formale të konkursit.

Gjykata vlerësoi se kandidatja nuk kishte dorëzuar në kohë dëshminë nga gjykata që nuk është e dënuar, si dhe nuk kishte dëshmuar përvojën menaxheriale me dokumentacion përkatës. Dokumentet janë dorëzuar pas mbylljes së konkursit, gjë që bie ndesh me procedurën e përcaktuar.

Në këto rrethana, gjykata konstatoi se vendimi i Këshillit Drejtues është marrë në kundërshtim me Statutin, Rregulloren dhe kushtet e konkursit publik, duke e shpallur të kundërligjshëm dhe duke e anuluar atë.

Gjykata vendosi gjithashtu që pala e paditur të paguajë shpenzimet e procedurës në shumë prej 320 euro.

Ditëve në vijim, “Jepi zë” do t’ju mbajë të informuar edhe për zhvillimet e tjera që lidhen me këtë konkurs.

JU REKOMANDOJMË