Shtetësia e nderit për biznesmenin kosovar, Abazoviqi merret në pyetje

Publikuar më:

Ish-kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Filip Adzhiq, kanë dhënë deklarata në Departamentin Special të Policisë (SPO), në kuadër të hetimeve paraprake lidhur me dhënien e shtetësisë së nderit biznesmenit nga Kosova, Naser Ramaj. Gazeta “Vijesti” ka marrë vesh nga disa burime se shtetësia Ramajt i është dhënë pak para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Abazoviqit.

Abazoviq dhe Adzhiq janë marrë në pyetje rreth dhjetë ditë më parë, ku u janë përgjigjur pyetjeve të zyrtarëve të Departamentit Special të Policisë lidhur me dokumentacionin mbi bazën e të cilit kishin vendosur t’ia miratonin Naser Ramajt regjistrimin në shtetësinë malazeze.

Ish-kryeministri ka konfirmuar për “Vijesti”-n se ka dhënë deklaratë në cilësinë e qytetarit në ambientet e SPO-së, por nuk ka dashur të flasë për detajet e marrjes në pyetje.

Ndësra ish-kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk iu është përgjigjur mesazheve të gazetës.

Prokuroria Speciale e Shtetit dhe Departamenti Special i Policisë (SPO) po zhvillojnë procedurë hetimore paraprake për të përcaktuar nëse ka pasur ndonjë keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare, kur pak para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Abazoviqit, biznesmenit nga Kosova, në bazë të së drejtës diskrecionale, iu dha shtetësia e nderit e Malit të Zi.

Dhënies së kësaj shtetësie i kishte paraprirë një mendim pozitiv nga Ministria e Financave, si dhe një verifikim pozitiv i sigurisë nga Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB). Po ashtu, kishte pasur edhe propozimin e kryeministrit të atëhershëm që Ministria e Punëve të Brendshme ta regjistronte Naser Ramajn në Regjistrin e shtetasve malazezë.

“Vijesti” ka shkruar se Ramaj, më 28 gusht 2023, ka dorëzuar kërkesën për marrjen e shtetësisë së Malit të Zi sipas nenit 12 të Ligjit për shtetësinë malazeze dhe se ndër të tjera kishte shkruar se ishte “një dashamirës i madh i Malit të Zi, të cilin e konsideron si shtetin e tij”.

Ramaj ka qenë pronar i klubit të futbollit Feronikeli.

JU REKOMANDOJMË