S’e pyet Antikorrupsionin: Nipi i Besnik Bislimit jep dorëheqje formale, por ende i mban dy pozita dhe i merr dy paga

Publikuar më:

Gëzim Tosuni, nipi i ish-zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, po vazhdon të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe të paguhet rregullisht, ndonëse ka ofruar dorëheqje nga kjo pozitë.

Edhe pse në shkresën e datës 3 mars 2026, ai njoftoi institucionet përkatëse për largimin nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, Tosuni ka qenë pjesë e mbledhjes së këtij institucioni më 23 mars 2026, dhe po paguhet rregullisht.

Kjo madje është konfirmuar për Front Online edhe nga Këshilli Shtetëror i cilësisë.

‘’Profesori Gëzim Tosuni, është anëtar i KSHC-së, ai paguhet rregullisht, merr pjesë në mbledhjet e Këshillit. Profesori Tosuni ka marrë pjesë në mbledhjen e fundit të KSHC-së, e cila është mbajtur më 23.03.2026’’, janë përgjigjur nga KSHC-ja për Front Online.

Dorëheqjen Tosuni e kishte konfirmuar edhe vet për Front Online, por pavarësisht pyetjeve se kur e ka bërë këtë veprim ani nuk ktheu përgjigje.

‘’Ju njoftoj se kjo çështje është adresuar me kohë tek autoritetet përkatëse. Po ashtu, ju informoj se përmes dokumentit me numër protokolli 97/26, të dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kam ofruar dorëheqjen time nga pozita përkatëse pranë komisionit parlamentar përgjegjës. Shpresoj që kjo përgjigje të jetë e mjaftueshme për të vlerësuar angazhimin tim në adresimin e kësaj çështjeje. Në vijim, mbetet në kompetencën e organeve përkatëse të vendosin për hapat e mëtejmë’’, ishte përgjigja e Tosunit për Front Online.

Gëzim Tosuni ofroi dorëheqje 7 muaj pas paralajmërimit të Antikorrupsionit se s’mund t’i mbajë dy pozita

Si rrallë kush në administratën publike, Gëzim Tosuni vazhdon të mbajë njëkohësisht dy pozita me peshë: kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT dhe anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Gëzim Tosuni e ka ofruar dorëheqjen nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë vetëm pas një periudhe prej afro shtatë muajsh, ndonëse Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit i kishte bërë të qartë se mbajtja e dy funksioneve publike njëkohësisht nuk është e lejuar.

Sipas dokumentit që ka siguruar Front Online, Tosuni kishte pranuar më 18 gusht 2025 një përgjigje zyrtare nga kjo agjenci, në të cilën theksohej se shërbimi paralel në dy borde të ndërmarrjeve apo institucioneve publike bie ndesh me rregullat dhe ligjin.

Pavarësisht këtij sqarimi të drejtpërdrejtë institucional, ai nuk kishte ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke vazhduar ushtrimin e të dy funksioneve edhe për muaj të tërë, deri në momentin kur vendosi të ofrojë dorëheqje.

Në dokumentin e siguruar nga Front Online, Tosuni njofton Kryetaren e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës për dorëheqjen e tij, duke bërë të ditur se më 18 gusht 2025 kishte marrë përgjigje nga Antikorrupsioni, e cila saktësonte se shërbimi në dy borde të ndërmarrjeve ose institucioneve publike nuk është i mundur.

Megjithatë, ndonëse në të njëjtën shkresë shprehet se personalisht nuk e konsideron si konflikt interesi mbajtjen e dy pozitave, Tosuni konfirmon se pas komunikimit me Agjencinë ka vendosur të ofrojë dorëheqje nga njëra prej tyre.

“Me datë 18 gusht 2025 kam pranuar përgjigje nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (e bashkangjitur në këtë dokument), se shërbimi në dy borde të ndërmarrjeve/institucioneve publike, nuk është i mundur. Rrjedhimisht, përmes kësaj shkrese, ju ofroj dorëheqjen time nga pozita e Anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Kosovës”, thuhet në dokumentin në të cilin Tosuni ofroi dorëheqje.

Front Online kishte raportuar më herët se Tosuni vazhdonte të ushtronte njëkohësisht dy funksione publike, duke ngritur dyshime mbi përputhshmërinë e kësaj situate me legjislacionin për konflikt interesi.

JU REKOMANDOJMË