Është duke u mbajtur seanca e paraburgimit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe të dyshuarve tjerë për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj, raporton Koha.net.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka elaboruar kërkesën e paraburgimit ku ka thëne se ka kërkuar masën e paraburgimit për shkak se sipas saj, të njëjtit së bashku kanë kryer veprën penale.
Sipas prokurorisë pas përleshjes që familja Lushtaku kishte pasur me zyrtarët policor, Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetari i Skenderajt, ia kishte dërguar armën e policit Enver Berisha, ish-kryetarit të komunës Bekim Jasharit e pastaj ky i fundit e kishte dorëzuar në Polici.
Sipas Prokurorisë Skenderaj është vend i vogël, dhe të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve që do merren në pyetje ditët në vazhdim.
Prokuroria ka thënë se Nuredin Lushtaku kishte shkuar me dy vëllezërit e tij pasi i kishte thirrur djali i tij pas një dënimi që i kishin shqiptuar zyrtarët policorë.
Ekipi i Kohës është brenda seancës por nuk iu është lejuar të xhirojnë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë të hënën gjatë ditës i ka kërkuar Gjykatës Themelore që t’ua caktojë masën e paraburgimit dy të dyshuarve për rastin e plagosjes së dy policëve të shtunën mbrëma në Skenderaj, F.L. dhe A.L., ndërkohë që ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, është shpallur në kërkim.
Menjëherë pas shpalljes në kërkim, Lushtaku është dorëzuar në Polici.