Me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga sot të marrë masa të ashpra anti-Covid.
Në këto përfshihet mbyllja totale e kafeneve, ora policore si dhe ndalohet rreptësisht grumbullimet dhe organizimet e ndryshme.
Të gjitha këto masa erdhën si propozim dhe u lexuan në mbledhje të Qeverisë nga ministri Arben Vitia, i cili vetëm para 3 javësh nuk duket se besonte shumë në virus.
Nga fotografitë që ka siguruar gazeta, tash ministri Arben Vitia shihet në një ndej me sharkia, ku të grumbulluar shihen shumë persona.
Kjo ndejë është mbajtur më 13 mars, pak më shumë se tri javë nga sot kur nisin masat e reja, dhe shihet se asnjë masë nuk është respektuar. Vitia dhe të tjerët, shihen pa maska e pa distancë, e madje të grumbulluar me persona që nuk janë familje e afërt.
Në fotografi me Vitinë, shihen edhe dy asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi dhe Leonora Shabani Bajraktari.
Ndërkohë, Vitia ka marrë kritika të ashpra për masat që ka marrë së fundmi për mbyllje të gastronomisë dhe orës policore. Ish-ministri Armend Zemaj i ka kundërshtuar masat, duke thënë se qeveria e kaluar përdori si politikë vetëm mbikëqyrja dhe rritja e kapaciteteve.
“Mbikqyrja rigoroze e masave, rritja e kapaciteteve të mbikqyrjes ka qenë politikë e jona. Ne jemi ballafaquar, unë komiteti për menaxhim, bordi këshilldhënës, e kemi heq ‘të zitë e ullirit’ por mbylljen nuk e kemi lejuar asnjëherë”, tha sot Zemaj.
Sidoqoftë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, shpesh kërkon nga qytetarët që të dalin vetëm për nevoja të domosdoshme. Duhet theksuar se, ndejat me sharkia, nuk konsiderohen të tilla.