Një muaj paraburgim për Mentor Beqirin dhe Armir Osmanin

Publikuar më:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç) Armir Osmanit (djali i Ismet Osmanit-Currit) dhe Mentor Beqirit.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila tha se Osmani dhe Beqiri dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe armëmbajtje pa leje.

Masa e paraburgimit është caktuar pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” të martën ka raportuar për arrestimin e Armir Osmanit (djali i Ismet Osmanit-Currit), i akuzar për fajde dhe detyrim si dhe Mentor Beqirit, të cilët ishin ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit për shkak të të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur po atë ditë rreth orës 15:00 në rrugën Llapnasellë-Graçanicë.

 

Sipas burimeve brenda Prokurorisë, të përfshirë në këtë incident janë edhe Curri dhe persona të tjerë, të cilët ende janë në arrati.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës (PK) përmes raportit 24 orësh të Policisë, të mërkurën dha detaje shtesë, duke thënë se nga një veturë e cila ishte në lëvizje dhe shpejtësi të madhe, është shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture tjetër në lëvizje.

Policia njoftoi se njëri i dyshuar në vendngjarje e ka dorëzuar pistoletën që e kishte me leje, ndërsa janë gjetur pesë gëzhoja nga arma e zjarrit. Rasti ishte iniciuar fillimisht si “Vrasje në tentativë”.

“Graçanicë,   16.04.2024-14:50.  Është raportuar  se nga një veturë e dyshuar, e cila ishte në lëvizje me shpejtësi të madhe, nga persona të dyshuar është duke u shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture tjetër në lëvizje, dhe pastaj të njëjtat vetura janë aksidentuar në mes veti. Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes ku e ka takuar të dyshuarin mashkull kosovar në afërsi të veturës së tij, i cili vullnetarisht e ka dorëzuar një pistoletë me leje. Njësitet policore të forenzikës në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar 5 gëzhoja nga arma e zjarrit. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

JU REKOMANDOJMË