Nipi i Besnik Bislimit, Gëzim Tosuni mban dy pozita të larta shtetërore, Antikorrupsioni nuk përgjigjet në lidhje me konfliktin e mundshëm të interesit

Publikuar më:

Ndonëse e mban emrin Gëzim, në rrethanat dhe mënyrën si funksionon sistemi institucional në vend, ai më shumë mund të përshkruhet si “fatlum”. Si rrallë kush në administratën publike, Gëzim Tosuni vazhdon të mbajë njëkohësisht dy pozita me peshë: kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT dhe anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 21 maj të vitit 2021, GëzimTosuni dhe gjashtë personat e tjerë u propozuan nga ministrja e atëhershme në detyrë e arsimit Arbërie Nagavci, për anëtarë në Këshillin Shtetëror për Cilësi.

Kjo kishte ardhur pas insistimit dhe propozimit të Arbërie Nagavcit, të 7 të propozuarit kaluan në Kuvendin e Kosovës më 17 qershor 2021.

Dr.Tosuni me titull, vazhdon të qëndroj stoik në pozitën e tij si anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, madje edhe paguhet për punën që bën.

Kjo madje është konfirmuar për FrontOnline edhe nga Këshilli Shtetëror i cilsësisë.

‘’ Profesori Gëzim Tosuni është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës më 17 qershor 2021, i anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe vazhdon të mbajë ende këtë pozitë. Konform Ligjit për Pagat edhe profesori Tosuni paguhet si anëtarët e tjerë vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë’’, janë përgjigjur nga KSHC-ja për FrontOnline

Emri i Tosunit u propozua dhe kaloi edhe për një pozitë tjetër në Kuvendin e Kosovës. Më 5 dhjetor 2024, Gëzim Tosuni është zgjedhur Kryesues i Bordit të Drejtorëve në KOSTT.

FrontOnline ka dërguar pyetje edhe në drejtim të KOSTT, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marr përgjigjie, ndonëse akoma vazhdon emri i tij të qëndroj në faqen e KOSTT si Kryesues i Bordit të Drejtorëve.

Në anën tjetër, prej shtatë ditësh, FrontOnline ka drejtuar pyetje në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me konflikt intereresi, pasi që Tosuni mban dy pozita të larta shtetërore, por deri më tani nuk ka asnjë reagim apo përgjigjie.

FrontOnline i ka dërguar pyetje edhe Tosunit, duke tentuar të marrë përgjigje nga ky i fundit nëse mbajtja e dy pozitave të larta shtetërore përbën konflikt interesi, por i njëjti nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

 

Nipi i Besnik Bislimit synonte vazhdimisht pozita të larta shtetërore

E në dhjetor të vitit 2022, Tosuni ia kishte mësyer edhe pozitës së guvernatorit të BQK-së, por ishte eliminuar nga gara për të parin e BQK-së, e madje ai nuk e kishte kaluar as fazën e intervistimit.

Atë kohë, ish-Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ishte pyetur për Besnik Bislimit se çfarë lidhje familjare ka me Gëzim Tosunin, e që sipas saj, ai kishte deklaruar se zëvendëkryeministri i kishte thënë se “e kishte parë ndoshta një herë në 50 vjet” nipin e tij.

Por ani pse për 50 vite s’ishin pare me Bislimin, Tosuni ka vazhduar të ‘’gjallëroj’’ në jetën e tij.

“E pyeta për kureshtje, tha se ndoshta në 50 vjetet e fundit ndoshta e kam takuar njëherë. Nuk e mbaj në mend se çfarë e ka”, kishte thënë Haxhiu.

 

Gëzim Tosuni, është nipi i ish-zëvendëskryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi.

Tosuni në regjistrat për deklarimin e pasurisë ka treguar se ka një pasuri  të majme.

Tosuni ka deklaruar se posedon tri banesa në vlerë 300 mijë euro, ku dy i ka blerë në vitin 2024. Ai ka deklaruar katër garazhda dy në vlerë 10 mijë e 450 euro.

Tosuni ka deklaruar një shtëpi në vlerë 103 mijë e 776 euro dhe një oborr në vlerë 150 mijë euro.

Në pasurinë e tij ai gjithashtu ka deklaruar se posedonë pyje, ara, livadhe dhe depo, ku 8 nga pasuritë e palujshme të tij janë blerë në vitin 2024.

Në të hyrat vjetore ai ka publikuar pagat e tij, ku nga universiteti i Gjilanit merr 13 mijë e 691 euro, ndërsa nga Agjencia e Kosovës për Akreditim për pozitën si anëtarë në Këshillin Shetotëror për Cilësi, ai ka paraqitur se merr pagë 2 mijë e 721 euro.

Ndërsa zotëri Tosuni nuk ka paraqitur pagë për pozitën si Kryesues i Bordit në KOSTT.

Tosuni ushtron detyrën e profesorit në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” që nga viti akademik 2014/2015 dhe është staf i rregullt përkatësisht në Fakultetin Ekonomik.

 

Konflikti i interesit i Tosunit me menaxhimin e biznesit privat

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit vitin e kaluar kishte detyruar Tosunin të heqë dorë nga pozita e drejtorit menaxhues në kompaninë private “GT & Associates Consulyancy L.L.C”, në mënyrë që të parandalohet konflikti i interesit, pasi që gjatë ushtrimit të funksionit publik nuk mund të ushtroj funksion drejtues e as të jetë drejtor menaxhues në një kompani private, pasi që sipas Agjencisë kjo paraqet gjendje të papajtueshmërisë me ushtrimin e funksionit publik.

“Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridike privatë, fitimprurës sipas Ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij Ligji”, thuhet mes tjerash në vendimin e Agjencisë.

Pas diskutimit dhe sqarimit të fakteve, Tosuni, sipas Agjencisë, është pajtuar me konstatimet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, duke deklaruar se do të ndërmerrë veprime konkrete në mënyrë që të shmanget papajtueshmëria në ushtrimin e funksionit publik.

JU REKOMANDOJMË