Mitrovicasi “kapadai” – kapet me armë ilegale në Mitrovicë

Publikuar më:

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri mjaft shqetësuese në vendin tonë, duke cenuar sigurinë publike.

Pothuajse çdo ditë, Policia has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën “UÇK” në Mitrovicë, teksa Policia ishte në trafik, kur papritmas hasi në një 24-vjeçar, të cilin e ndaluan për shkak të parkimit ilegal.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit policor, Policia ka gjetur një armë zjarri që e mbante pa autorizim, me të cilën i riu fillimisht tentoi të ikë.

Arma është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

JU REKOMANDOJMË