Milot Rashica: Po ta dëgjoja babain, do të bëhesha dentist

Publikuar më:

Milot Rashica duhej të priste e të priste gjatë për ta provuar ndjesinë e shënimit të golit në ligën më të fortë në botë; Premierligë. Në fund, ishte një pritje që ia vlejti, sepse, siç e thotë ai, shumë gjëra u ndërthurën në një çast të vetëm; goli i parë në Premierligë kundër njërit prej klubeve më të mira në botë, në njërin prej stadiumeve më të zjarrta që i ka shkelur këmba; Anfield, shkruan Nacionale.

“Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme, sepse u bënë shumë gjëra bashkë për herë të parë, ishte kundër Liverpoolit, njërit prej klubeve më të mira në Evropë apo botë dhe goli im i parë”, thotë ylli i Norwich City.

Rashica e mori një top nga Josh Sargent në cepin e zonës dhe e shmangi Alex Oxlade-Chamberlainin para se të gjuante nga rreth 20 metra largësi, topi u devijua nga Joel Matip dhe përfundoi në rrjetën e portës së portierit Alisson Becker. Po, ishte goditje me fat, por vushtrriasi kishte bërë mjaftueshëm deri në minutën e 48-të për ta merituar fatin. Pas 15 ndeshjeve dhe shumë përpjekjeve ai ia kishte dalë më në fund dhe jo kundër çfarëdo kundërshtari apo në çfarëdo stadiumi.

Duke shënuar kundër 19 herë kampionit anglez, Rashica u bë përfaqësuesi i parë i Kosovës që shënon në Premierligë.

Por pesë minuta çmenduri i kushtuan me humbje skuadrës së tij. Sadio Mane, Mohamed Salah dhe Luis Diaz shënuan sa hap e mbyll sytë për t’ia bërë 25-vjeçarit sa të ëmbël aq të hidhur golin e parë në futbollin anglez. “Ishte një ndjenjë e mirë dhe ishte çast i mirë për ne sepse rezultati ishte 0:0 dhe ne kaluam në epërsi”, kujton Rashica me një buzëqeshje paksa dëshpëruese.

“Por pas disa gabime që ne i bëmë për tre, katër minuta ata e kthyen lojën në favorin e vet, por ndjenja ishte jashtëzakonisht e mirë dhe ndodhi në njërin prej stadiumeve më të mira dhe më atmosferën më të mirë në të cilën kam luajtur deri tani.”

E gjithë kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Rashica do t’i përgjigjej kërkesës fillestare të babait për t’i ndjekur hapat e tij si dentist.

“Nëse do ta kisha dëgjuar babanë tim në fillim ai do të më kishte dërguar në profesionin e dentistit dhe ka tentuar të bëjë këtë”, tregon Rashica për babanë e vet, Nexhmedin Rashica, i cili nuk kishte këmbëngulur shumë, megjithatë, dhe ishte bërë mbështetësi i tij më i madh në fillimet e rrugëtimit të tij drejt bërjes futbollist profesionist.

“Ai e ka parë që futbollin e doja më shumë dhe pastaj më ka përkrahur gjithmonë, duke e lënë punën anash për të më çuar me veturë kudo që duhej të shkoja për të luajtur futboll. Ai mbante me vete një kamerë të vogël, me të cilën i xhironte gola dhe rastet e shënimit dhe pastaj i mblidhte në një vend. Dikur ai e kuptoj se fundjavave duhej të më dërgonte mua në ndeshje futbolli dhe kaq”.

Miloti ishte aq i mirë dhe i talentuar saqë i kishte kapërcyer disa kategori zinxhir në klubin e Vushtrrisë dhe shkollën e futbollit “Kurda” për të debutuar për Llamkos Kosovën në moshën 16-vjeçare në vitin 2013. Ai i ndihmoi ekipit të vendlindjes ta fitojë titullin e parë në historinë e klubit atë sezon.

“Të them të drejtën kur kam luajtur në Vushtrri, si 10 apo 11 vjeç, kam kaluar te ‘Kurda’ në Fushë Kosovë. Sistemi ka qenë ndryshe atje, sepse luanim në gara. Në vitin e parë aty u shpalla lojtari më i mirë fatos, në vitin e dytë i dyti si pionier dhe pastaj kadet. Është dashur të kaloja junior, por ‘Kurda’ nuk kishte këtë kategori dhe unë kalova nga kadetët direkt në ekipin e parë të Vushtrrisë si rreth 16-vjeçar. Aty ishte dallimi i madh, sepse luaja me burra”.

Një sezon pasi i kishte ndihmuar Vushtrrisë drejt lavdisë dhe pas një lëndimi të rëndë në gju, anësori i Kosovës iu bashkua Vitesses në ligën elitare holandeze. Trembëdhjetë gola në 83 paraqitje gjatë tri viteve në Vitesse i ndihmuan atij të bëhej emër dhe Werder Bremen do t’i trokiste në derë së shpejt në vitin 2018.

Mbase Bundesliga gjermane ishte vendi ku ai shkëlqeu më së shumti dhe e mori nofkën “njeriu raketë”, falë goditjeve të fuqishme nga largësia dhe 21 golave në fanellën e Bremenit. Por të luash në Premierligë është një botë tjetër, e cila e ka futbollin më të vështirë edhe për Milotin. “Në fillim dallimi ishte shumë i madh, sepse intensitet dhe shpejtësia e lojës dhe stërvitjet ishin më të mëdha. Por pas disa javëve stërvitjeje ia nisa të mësohem.”

“Premierligën edhe në televizor kur e kemi shikuar është parë qartë sa i shpejtë ka qenë intensiteti, e lërë më brenda, por për momentin nuk është edhe keq”, tha ai për Nacionale.

25-vjeçari, i cili iu bashkua Norwichit verën e vitit të kaluar për 11 milionë euro, hasi në shumë vështirësi në futbollin anglez në pjesën e parë të sezonit. “Këtë telash ndoshta e kam pasur edhe në Gjermani në fillim. Këtu është dashur të punoj shumëfish më shumë [se në Gjermani], sidomos në Angli ku çdo ndeshje luan kundër ekipeve të forta dhe prej nesh [Norëich City] nuk pritet të mbajmë topin shumë, gjatë gjithë kohës duhet të vrapojmë mbrapa për ta fituar topin dhe për të dalë në sulm dhe natyrisht këtë mund të bësh dy tri herë gjatë një pjese por jo gjatë gjithë kohës, sepse të duhet më shumë fuqi dhe përgatitje, por gradualisht me stërvitje dhe duke luajtur e fiton edhe kondicionin fizik.”

Pjesa e dytë e sezonit ka qenë shumë më e mirë për kosovarin në rrafshin personal. Ai kishte disa paraqitje mbresëlënëse duke iu shkaktuar kundërshtarëve telashe me shpejtësinë e tij krahëve të sulmit, të cilat, megjithatë, u lanë nën hije për shkak se Norwich nuk arrinte të fitonte dot dhe Rashica e pranon se derisa ekipi i tij nuk merr pikë, paraqitje e tij, qofshin ato shumë të mira, nuk kanë rëndësi. “I kam zhvilluar disa ndeshje të mira njëmend, por për shkak që nuk arrinim rezultate [pozitive] dhe atyre iu humbi vlera, sepse natyrisht pikët janë ato kryesoret që na mbajnë neve dhe sidomos tani që i humbëm tri apo katër ndeshje të fundit, të cilat ishin shumë të rëndësishme, ato na kanë lënë goxha mbrapa në hap për mbijetesë”.

Norwich City u promovua në ligën elitare angleze sezonin e kaluar, por rrezikon të bjerë përsëri në kategorinë e dytë, pasi është e fundit në tabelë me vetëm katër fitore nga 29 ndeshje. Tetë pikë larg zonës së shpëtimit kur kanë mbetur vetëm edhe nëntë ndeshje deri në fund të sezonit nënkupton detyrë shumë e vështirë për mbijetesë.

Rashica është lojtari më i mirë në skuadrën nga Norfolk kohëve të fundit dhe ai u zotua se nuk do të dorëzohet kurrë në betejën e skuadrës së tij për mbijetesë.

“Kanë mbetur edhe nëntë ndeshje për t’u zhvilluar dhe kemi takime me disa skuadra që janë në fundin e tabelës afër nesh dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund. E vështirë do të jetë boll, të them të drejtën, por do të provojmë deri në fund dhe ta shohim.”

Rashica, i cili po ashtu e përjetoi për herë të parë ndjesinë e golit në shtëpi për Kosovën kur shënoi në stadiumin Fadil Vokrrinë fitoren 5:0 kundër Burkina Fasos në një miqësore javën e kaluar, thotë se Manchester City i Pep Guardiolës dhe mbrojtësi i djathtë anglez Kylian Walter janë më të fortit më të cilët është përballur.

Ai u përballë dy herë me kampionin anglez këtë sezon dhe, edhe pse në të dy rastet doli humbës, paraqitja e tij në duel me këmbëshpejtin Walker ishte shumë e mirë. Rashica ishte në gjendje të luftonte me të kokë me kokë.

“Ai është ndër më të shpejtit [në botë] dhe ai zakonisht del shumë përpara [në sulm] dhe detyrohesh ta ndjekësh deri në fund. Në ndeshjen e parë e kam pasur më të vështirë dhe në ndeshjen e tyre, City na mposhti përsëri 4:0. Por ndeshja e dytë më është dukur pak më normale sepse i kam pasur disa duele të mira një kundër një kundër tij, i kam pasur disa aksione dhe deri erdha koha për ndeshjen e dytë e mora veten dhe hyra në sistem dhe pak më lehtë. Por prapë ai është shumë i shpejtë. Prej të gjitha ekipeve më të cilat kemi luajtur kundër tyre ishte më e vështira.”

Rashica – i cili i ka 7 gola për Kosovën në 39 paraqitje përfshirë dy në dy ndeshjet e fundit kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës – është njëri ndër futbollistët e pakët që nga Superliga kosovare ka mbërritur të luajë top pesë ligat evropiane dhe i këshillon kosovarët që synojnë majat e futbollit të punojnë fort dhe përqendrimin ta kenë vetëm në futboll, duke i shfrytëzuar mundësitë dhe kushtet e mira që i gëzojnë tani.

“Me punë, me vullnet, me dëshirë të madhe gjithçka arrihet dhe tash ka plot lojtarë të tjerë që luajnë në kombëtare dhe ekipe të tjera. Tash e kanë shumë më lehtë, sepse i kanë të gjitha kushtet dhe ka shumë menaxherë që vijnë i vëzhgojnë, tash ekipet e Kosovës po luajnë në Evropë dhe tash janë kushtet shumë më të mira. Atëherë kur kemi luajtur ne dhe e kemi fituar titullin me Llamkos Kosovën nuk ka ndodhur asgjë, e kemi fituar titullin e kemi festuar aty dhe aty ka mbaruar gjithçka. Në atë kohë ka qenë shumë më e vështirë edhe shkaku i vizave. Nëse e do një punë duhet vetëm punë për atë [synim] edhe mos të mendosh për diçka tjetër.”

JU REKOMANDOJMË