Seanca e Kuvendit Komunal të Mitrovicës u shoqërua me tensione, pasi drejtori i Arsimit, Shefki Begu, e quajti “injorant” asamblistin e PDK-së, Valon Brahimi, gjatë një debati për gjendjen në arsimin komunal.
Brahimi ngriti shqetësimin për mungesën e raportimit nga Drejtoria e Arsimit lidhur me mungesën e mësimdhënësve në shkollat e komunës. Gjatë diskutimit, mes tij dhe drejtorit Begu pati përplasje verbale, ku ky i fundit iu drejtua asamblistit me termin “injorant”, duke tensionuar atmosferën në sallë.
Pas deklaratës, Brahimi kërkoi që drejtori të kërkojë falje publike, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, asamblistët e PDK-së do ta lëshojnë mbledhjen.
Asamblisti i PDK-së ngriti gjithashtu çështjen e organizimit të përvjetorit të Gjimnazit “Frang Bardhi”, duke thënë se në aktivitet nuk ishin ftuar të gjitha figurat që kanë dhënë kontribut për Mitrovicën dhe Kosovën.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, deklaroi se nuk pajtohet me mënyrën se si është bërë përzgjedhja e pjesëmarrësve në aktivitetin e gjimnazit. Ai theksoi se Brahimi nuk duhet të ndikohet nga deklaratat fyese dhe se termi “injorant” nuk duhet të përdoret në debatet institucionale.






