Liria e shtypit po përballet me rënie të ndjeshme në mbarë botën, duke ngritur alarm për të ardhmen e gazetarisë së lirë. Në raportin e fundit të “Reporterëve pa Kufij”, vendet nordike vazhdojnë të udhëheqin listën duke siguruar mbrojtje të fortë ligjore për gazetarët dhe një mjedis të sigurt mediatik.
Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia, Finlanda dhe Danimarka mbeten shembull i funksionimit demokratik, por situata ndryshon dukshëm në Evropën Jugore dhe Lindore, ku ndërhyrjet politike dhe presioni ndaj mediave po krijojnë mjedis gjithnjë e më të vështirë.
Greqia, për të katërtin vit me radhë, konsiderohet vendi me ambientin më të rrënuar gazetaresk në BE, mes akuzave për ndërhyrje politike dhe përdorim të mekanizmave ligjorë ndaj gazetarëve.
Ballkani Perëndimor gjithashtu shfaq probleme serioze. Bosnja, Serbia dhe Kosova renditen dobët, ndërsa Kosova pozicionohet në vendin 99, përpara vetëm disa shteteve me situatë edhe më të rëndë si Gjeorgjia, Turqia, Bjellorusia dhe Rusia.
Në nivel global, situata është edhe më shqetësuese, për herë të parë që nga viti 2002, rezultati mesatar global i lirisë së shtypit bie nën 55 pikë, me më shumë se gjysmën e vendeve që klasifikohen si “të vështira” ose “shumë serioze” për punën e gazetarëve.
Sipas raportit, përqendrimi i medias, presioni politik dhe paqëndrueshmëria ekonomike janë ndër faktorët kryesorë që po e godasin gazetarinë e lirë.
Edhe pse Evropa mban epërsinë globale, hendeku i madh midis veriut dhe jugut po shtohet, duke ngritur pyetje të rëndësishme për të ardhmen e lirisë së fjalës në kontinent dhe në botë.








