Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Besian Mustafa tha sot se ende nuk ka një marrëveshje politike apo pajtim të gjerë mes spektrit politik për çështjen e presidentit.
Mustafa, pas takimit të Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se qëndrimi i LDK-së është se “zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të evitueshme dhe të panevojshme në këtë fazë”.
“Ne patëm një takim të GP të LDK-së dhe mendimi i përbashkët është që zgjedhjet janë të evitueshme, të panevojshme në këtë fazë”, tha Mustafa.
Ai tha se LDK ka ofruar dy opsione për zgjidhjen e çështjes së presidentit.
“E para është një koncensus i gjerë politik dhe e dyta është një marrëveshje politike klasike mes dy partive”, deklaroi deputeti Mustafa.
“Marrëveshja politike, për dallim nga koncensusi i gjerë i cili i bie që partitë politike parlamentare pajtohen mbi parimet e pastaj për emrat e veçantë. Për dallim nga kjo, marrëveshja politike i bie procedura e njëjtë sikurse te koncensusi, por në këtë rast marrëveshje vetëm në mes të dy partive”, tha Mustafa.
I pyetur nëse është propozuar për president emri i Glauk Konjufcës në takimin e sotëm mes liderëve të LVV-së dhe LDK-së, Mustafa nuk e mohoi kategorikisht diskutimin mbi emrin e Konjufcës por tha që nuk i di detajet e diskutimeve.
“E kam parë në media, por zyrtarisht nuk ka një propozim zyrtar, formal”, tha ai.








