Lajm i mirë për mërgimtarët, nga sot nuk do të paguajnë 15 euro në kufi

Publikuar më:

Ministri Financave në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë se që nga sot, mërgata nuk ka nevojë të paguajë për policën kufitare.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Murati ka thënë se me marrëveshjen e arritur me Bankën Qendrore të Kosovës dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve, Qeveria mbulon çmimin e reduktuar për 35%.

“Nëse llogariten edhe kursimet e tarifave bankare, me këtë marrëveshje do të kursehen mbi 3 milionë euro.”, ka shkruar ai.

Qeveria e Kosovës më 22 qershor mori vendim për mbulimin e plotë të sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët që janë subjekt i policës kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 6 milionë euro për të mbuluar policën e sigurimit.

Mirëpo me këtë vendim të BQK-së, Qeveria e Kosovës do të paguajë vetëm 65% të policës së sigurimit, ndërsa pjesa tjetër prej 35% do të paguhet nga ana e BQK-së.

Edhe në vitin e kaluar kjo pagesë ishte mbuluar nga ana e Qeverisë.

Vitin e kaluar Qeveria e Kosovës kishte paguar 1.1 milionë euro, pasi që për shkak të pandemisë, ardhja e bashkatdhetarëve ka qenë më e vogël.

Postimi i plotë i Muratit:

Prej sot, mërgata nuk ka nevojë të paguajë për policën kufitare. Me marrëveshjen e arritur, me BQK dhe BKS, Qeveria mbulon çmimin e reduktuar për 35%. Nëse llogariten edhe kursimet e tarifave bankare, me këtë marrëveshje do të kursehen mbi 3 milionë euro.

Mirëpo më e rëndësishmja është që ne do të angazhohemi edhe për një zgjidhje permanente të këtij problemi, e cila besoj që do të vie shumë shpejt.

JU REKOMANDOJMË