Lajm i keq për kosovarët: Pritet të shtrenjtohet edhe uji

Publikuar më:

Derisa autoritetet në Kosovë paralajmërojnë rritje të çmimit të ujit, një sasi e madhe e ujit të prodhuar për pije nuk arrin të faturohet fare.

Rritja e paralajmëruar e çmimit, megjithatë, nuk lidhet me sasitë e humbura, por me rritjen e çmimeve të produkteve të tjera bazike.

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit në Kosovë (ARRU) tha se gjatë këtij viti janë prodhuar mbi 152 milionë metra kub ujë.

Nga kjo sasi janë faturuar apo shitur rreth 68 milionë metra kub, në vlerë prej 25 milionë eurosh. Sasia e ujit të pafaturuar është 84 milionë metra kub.

Sipas raportit vjetor të ARRU-së, uji humbet për shkak të infrastrukturës së vjetër, dëmtimeve nga punimet në infrastrukturën rrugore dhe lidhjet e paligjshme.

Uji i humbur thuhet se ndikon drejtpërdrejt në mbulimin e kostos dhe fitimet e operatorëve shpërndarës të ujit. Në Kosovë operojnë shtatë kompani rajonale të ujit, të cilat i furnizojnë qytetarët me ujë të pijshëm.

Për Çaush Bajrushin, i cili ka punuar në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” dhe tani është në pension, humbja e ujit është një gjë e pakuptueshme.

Sipas tij, problemi më i madh në industrinë e shërbimeve të ujit, gjatë dy dekadave të fundit, është lidhja ilegale e qytetarëve në sistemin e ujësjellësit.

JU REKOMANDOJMË