Personi që shihni në foto është Rudolf Nikolli, 34 vjeçari nga Burreli i cili u fut në ambientet e xhamisë në Rrugën e Kavajës në Tiranë dhe plagosi 5 persona. Arsyet e sulmit janë të paqarta.
Ngjarja ndodhi para pak minutash. Të plagosurit janë dërguar në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas njoftimeve paraprake të policisë, 34 vjeçari është futur në xhami me një lloj thike duke shkaktuar panik mes personave që ndodheshin brenda. Policia e ka arrestuar dhe aktualisht po e merr në pyetje.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas.
Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.