Sot, në një ceremoni përkujtimore në bashkëpunim me Shoqatën e të Pagjeturve “Zëri i Prindërve” u nderua kujtimi i 104 qytetarëve shqiptarë të pagjetur nga Komuna e Mitrovicës, të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në këtë aktivitet mori pjesë Kryetari i Komunës, Faton Peci, i shoqëruar nga drejtorë të drejtorive komunale, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, si dhe nxënësit dhe stafi i Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.
Në këtë aktivitet simbolik u vendosën 104 karrige të zbrazëta, secila duke përfaqësuar një jetë të humbur dhe një fat ende të pazbardhur. Krahas tyre, 104 trëndafila të bardhë simbolizuan pafajësinë dhe dhimbjen e familjeve që ende presin të vërtetën për më të dashurit e tyre.
Kryetari Faton Peci potencoi se nga oborri i gjimnazit marshuan drejt lagjes së boshnjakëve, në shtëpinë ku u krye gjenocidi nga dora gjakatare serbe, e cila kreu masakrën kundër 23 qytetarëve të pafajshëm shqiptarë, ku vendosën lule të freskëta për të mbajtur të freskët kujtimin për ta.







