Krenari për Mitrovicën: Pianistja Melisa Ibrahimi nderohet me titull ndërkombëtar në Spanjë

Publikuar më:

Pianistja nga Mitrovica, Melisa Ibrahimi, po vazhdon të dëshmojë talentin dhe përkushtimin e saj në skenën ndërkombëtare, duke sjellë edhe një tjetër vlerësim të rëndësishëm për Kosovën.

Së fundmi, ajo është nderuar me titullin prestigjioz “Artistic Ambassador of Kosovo – Spain” nga World Piano Association Spain, një çmim që vjen si vlerësim për kontributin e saj artistik dhe përfaqësimin e vendit përmes muzikës.

Në reagimin e saj publik, Ibrahimi është shprehur thellësisht e nderuar për këtë çmim, duke e cilësuar atë si një simbol të fuqishëm të përfaqësimit të Kosovës në Spanjë.

Ajo ka theksuar se ky titull përfaqëson një “urë të ndërtuar përmes muzikës, përkushtimit dhe pasionit të palëkundur”, ndërsa ka shtuar se mbajtja e tij është një përgjegjësi për të përfaqësuar vendin me dinjitet dhe për të vazhduar ndërtimin e një karriere ndërkombëtare.

Pianistja ka falënderuar të gjithë mbështetësit e saj, si dhe profesorin Giuseppe Devastato për përkrahjen e vazhdueshme në rrugëtimin e saj artistik. Po ashtu, mirënjohje ka shprehur edhe për përfaqësuesit e organizatës që i ndanë këtë çmim në Spanjë.

Ky vlerësim vjen pas një angazhimi disa vjeçar të saj në Spanja, ku Ibrahimi tashmë po ndërton me sukses profilin e saj si pianiste në arenën ndërkombëtare.

JU REKOMANDOJMË