Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka dërguar të shtunën ekipet për ndërrimin e njehsorëve të energjisë elektrike në rrugën “Prekazi”, në një objekt banesor, pa njoftim paraprak për banorët. Kështu ka bërë të ditur Ehat Miftaraj përmes një reagimi publik.
Sipas tij, ekipet në terren kanë sqaruar se njehsorët ekzistues janë vendosur në vitin 2010 dhe, sipas procedurave, duhet të ndërrohen çdo 10 vjet. Po ashtu, ata kanë theksuar se gjatë muajit të fundit njehsorët nuk kanë regjistruar saktë kilovatët e shpenzuar, gjë që, sipas tyre, ka ndikuar që faturat e energjisë elektrike të rezultojnë pothuajse dyfish apo trefish më të larta.
Miftaraj ka kritikuar faktin se ndërrimi i njehsorëve është bërë pa paralajmërim dhe pa informim paraprak për arsyet e këtij veprimi. Ai ka theksuar se, po të mos kishte qenë në banesë dhe të bisedonte drejtpërdrejt me ekipet në terren, nuk do të ishte në dijeni fare se njehsorët ishin ndërruar.
Në reagimin e tij, ai ka kritikuar edhe institucionet, duke pretenduar se KEDS vepron pa llogaridhënie të mjaftueshme, ndërsa ZRRE-ja, Qeveria dhe Kuvendi, sipas tij, mbrojnë interesat financiare të kompanisë në dëm të qytetarëve.
Megjithatë, Miftaraj ka vlerësuar si profesionale sjelljen e ekipit që realizoi ndërrimin e njehsorëve, duke theksuar se puna e tyre ishte për çdo lavdatë.







