Inspektori i ndërtimit në Skënderaj i akuzuar për korrupsion thotë se veproi sipas ligjit, Prokuroria kërkon dënimin e tij

Publikuar më:

Inspektori i ndërtimit në Komunën e Skenderajt, Zenë Rushiti, i akuzuar se lejoi mbindërtime pa leje në këtë komunë, deklaroi se ka vepruar sipas Ligjit mbi Ndërtimin dhe se nuk ka qenë i vetmi për të marrë vendime për rrënimin e ndërtimeve pa leje.

Ndërsa, prokurori Naim Beka, në fjalën e tij përfundimtare, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka kërkuar që i akuzuari Rushiti të dënohet sipas ligjit.

Fillimisht në fazën e administrimit të provave, palët pranuan që dy vendimet e legalizimeve të dorëzuara nga i akuzuari Rushiti, njëra për kompaninë “Rukolli”, ndërsa vendimi tjetër në emër të personit Muhamet Fejza, të lexohen si prova.

Tutje, në fjalën përfundimtare prokurori Beka deklaroi se nga administrimi i provave në këtë shqyrtim gjyqësor është provuar se i akuzuari ka kryer veprën përkatëse penale.

“Nuk është kontestuese se i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime të nevojshme për të parandaluar mbindërtimet, nuk ka përcjellë në mënyrë adekuate mbindërtimet të përshkruara si në dispozitiv të aktakuzës, i njëjti nuk ka vendosur ndonjë shenjë zyrtare (shirit), për të konstatuar dhe paralajmëruar mosvazhdimin e punimeve si dhe nuk ka ndërmarrë veprime të tjera relevante konform ligjit të sipërcekur”, shtoi prokurori Beka.

Ndryshe, i akuzuari Zenë Rushiti në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se ka vepruar sipas dispozitave të Ligjit për Ndërtimin, dhe se nuk ka qenë personi kompetent për të ndërmarrë vendime nëse një ndërtim pa leje duhet të rrënohet, pasi këto vendime i marrin organet më të larta të komunës.

Ai shtoi se ato veprime nuk ka qenë në kompetencën e tij, ndërsa tha se nuk ka asnjë lidhje me personat që kanë bërë ndërtimet pa leje, dhe se as nuk iu ka ndihmuar për një gjë të tillë.

“Unë si inspektor jam munduar me i ndërpre këto ndërtime, por unë i vetëm nuk kam mundur ta bëjë këtë”, deklaroi i akuzuari Rushiti.

Gjyqtari Radosllav Markoviq e shpalli të përfunduar këtë çështje penale, ndërsa aktgjykimi do të shpallet sot në orën 14:15.

Ndryshe, seanca ishte paraparë të zhvillohet në një nga sallat e gjykimeve, por për shkak të problemeve me funksionimin e internetit, u mbajt në zyrën e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Radosllav Markoviq.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 31 janar 2019 kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Zenë Rushiti, Rrustem Rukolli, Abaz Abazi, Muhamet Fejza dhe Idriz Mecinaj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Zenë Rushiti, prej vitit 2013 e deri në muajin prill të vitit 2014, duke vepruar si person zyrtar në Komunën e Skenderajt dhe atë inspektor i ndërtimit, më qëllim që të krijojë dobi për të tjerët, kishte tejkaluar autorizimet e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Rushiti nuk kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare dhe nuk kishte ndërmarrë masa për ndalimin e mbindërtimeve e objekteve sipas projektit më etazhitet B+P+6 në parcelën që gjendet vendin e quajtur “Fshat Pllac”, më pronar Rrustem Rukollin.

Siç thuhet në aktakuzë, nga kjo mënyrë e veprimit është mundësuar mbindërtimi në sipërfaqe prej 475.57 m2, objekti banues më leje ndërtimi sipas projektit më P+2E, në parcelën që gjendet në vendin e quajtur “aroqe”, më pronar Abaz Abazin.

Po ashtu, thuhet se ishte mundësuar mbindërtimi prej 97.35 m2, objekti banues më leje ndërtimi sipas projektit më P+1, në parcelën që gjendet në vendin e quajtur “Fshat”, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, në Skenderaj më pronar Muhamet Fejzën si dhe ishte mundësuar mbindërtimi prej 175.50 m2, objekti banues më leje ndërtimi sipas projektit më B+P+1, në parcelën që gjendet në vendin e quajtur “Fshatë”, në rrugën “Xhon Buzuku”, më pronar Idriz Mecinaj ku ishte mundësuar mbindërtimi prej 90.75 m2.

Më këtë, Zenë Rushiti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së, raporton Betimi për Drejtësi.

Në këtë aktakuzë, të akuzuar kanë qenë edhe Rrustem Rukolli, Abaz Abazi, Muhamet Fejza dhe Idriz Mecinaj, për veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”, nga neni 368, par.1 të KPRK-së, mirëpo gjykata më 18 maj 2021, në seancën e shqyrtimit fillestar e ka veçuar procedurën penale ndaj të njëjtëve, me arsyetimin se vepra penale është në kompetencë në Departamentin e Përgjithshëm, vazhdimi i procedurës ndaj tyre në Departamentin e Krimeve të Rënda, përbën shkelje të rëndë të dispozitave ligjore.

JU REKOMANDOJMË