Flamujt e rinj serbë, të vendosur sot në Graçanicë në prag të festës së Pashkëve, janë hequr gjatë mbrëmjes me asistimin e Policia e Kosovës, raportoi mediumi Kosovo Online.
Ndërkohë, ka reaguar edhe Lista Serbe, e cila ka dënuar ashpër këtë veprim.
Sipas deklaratës së Listës Serbe, aksioni i Policisë së Kosovës është kryer me urdhër të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, duke larguar flamujt serbë nga hapësirat publike në Graçanicë dhe në mjedise të tjera me shumicë serbe, në prag të festës së Pashkëve.
Në reagim thuhet se veprime të tilla përbëjnë, sipas tyre, shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave themelore të popullit serb, përfshirë të drejtën për lirinë e shprehjes dhe manifestimin publik të identitetit kombëtar, të cilat – siç theksojnë – garantohen me akte ndërkombëtare.
Lista Serbe pretendon gjithashtu se, në të njëjtën kohë, flamujt kombëtarë shqiptarë qëndrojnë të vendosur pa ndërprerje në gjithë Kosovën, përfshirë edhe sallën e Kuvendit në Prishtinë.
Në fund, Lista Serbe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë dhe të dënojë, siç shprehet, shkeljen e të drejtave të popullit serb.






