Një incident është raportuar në Sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku persona ende të paidentifikuar kanë grisur flamurin e shtetit turk, i cili ishte vendosur në një tendë të ngritur për organizimin e iftareve, aktivitet i përkrahur nga Turqia.
Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimin, rasti është raportuar më 5 mars 2026, rreth orës 12:00.
Pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Speciale në Prishtinë, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Hetimet për identifikimin e autorëve janë në zhvillim.







