Gjykata s’i beson martesës së zviceranes 70-vjeçare dhe kosovarit 35 vjeçar

Publikuar më:

Sigurimi i lejes së qëndrimit në Zvicër është diçka që lakmohet gjithandej nga të huajt. Për të plotësuar këtë dëshirë shumë shpesh lidhen edhe martesa fiktive. Një rast i tillë ka ndodhur mes një 70-vjeçare zvicerane dhe nje 35 vjeçari kosovar, raportojnë mediat atje.

Ky rast po hetohet nga autoritetet gjyqësore të Kantonit Aargau, që dyshojnë se 70-vjeçarja kishte hyrë në lidhje të rreme martesore me të riun kosovar, me qëllim që t’i jepte atij qëndrim të përhershëm në Zvicër.

Por, pasi që në raste të tilla ka vetëm indikacione por jo edhe dëshmi direkte për martesë fiktive, procedura e konstatimit është e ndërlikuar. Në raste të tilla të dy bashkëshortët intervistohen paralelisht dhe më pas vlerësohen protokollet e dy intervistave, shkruan “Aargauer Zeitung”.

Nëse mund të mblidhen prova të mjaftueshme për një martesë “me interes”, leja e qëndrimit do të refuzohet.

Në verën e vitit 2018, 70-vjeçarja dje 35 vjeçari ishin martuar në Kosovë. Megjithatë, i riu kishte vazhduar të qëndronte në Kosovë.

Me t’u kthyer në Zvicër, “nusja” kishte paraqitur kërkesën për bashkim familjar. Por, tani autoriteteve u kishte lindur dyshimi, kështu që e kishin refuzuar kërkesën me arsyetimin se bëhej fjalë për një martesë fiktive, përcjell albinfo.chr. Të porsamartuarit nuk e pranuan këtë dhe bënë ankim në gjykatën administrative.

Seanca gjyqësore për këtë rast qe zhvilluar në vjeshtën e vitit 2021. Hetuesit kishin arritur të siguronin paraprakisht historitë e bisedave të të dyve, gjë që ndihmoi gjyqtarët në vendimin e tyre.

Aktgjykimi tani është marrë dhe Gjykata ka arritur në përfundimin se ka të dhëna të rëndësishme se të paktën kosovari, nuk ka qëllime serioze në lidhje me martesën dhe se ai është duke ndjekur synime të tjera, përkatësisht martesën e ka bërë për të anashkaluar kushtet ligjore për pranim të të huajve.

Regjistrimet e bisedave tregojnë se ata të dy janë njoftuar në Facebook. Ai i kishte shkruar asaj në mënyrë spontane dhe kishte insistuar derisa gruaja më në fund i ishte përgjigjur. Duke qenë se ata komunikonin me njëri-tjetrin në baza ditore, gjykata kishte supozuar fillimisht se ekzistonte një vullnet i vërtetë për t’u martuar. Megjithatë, në bisedat e regjistruara kishte dëshmi që flisnin për të kundërtën.

Një tjetër pikë që flet për ekzistimin e martesës së rreme është ajo se të dy pothuajse nuk janë parë kurrë që nga dasma. Që atëherë ai e ka vizituar atë vetëm dy herë në Zvicër. Edhe pse kishte vizën që do t’i lejonte të qëndronte në Zvicër për 90 ditë, vizitat e tij ishin të kufizuara në disa ditë.

Mësohet se i riu e ka kaluar pothuajse të gjithë kohën në dhomën e tij. Regjistrat e bisedave tregojnë se gruaja i ka kërkuar disa herë të riut kosovar që të dilte nga dhoma e tij. “Zemër (Schatzi), cili është problemi?” i përgjigjej ai përpjekjeve afruese të gruas së tij.

Prandaj gjykata ka arritur në përfundimin se sjellja e tillë e burrit tregonte se ai nuk ishte i interesuar të jetonte me gruan nga Aargau dhe prandaj ajo ka hedhur poshtë ankesën e gruas. Por ajo thotë se: “Nëse burri im ishte i interesuar vetëm për letrat, mund të kishte kërkuar dhe gjetur ndonjë tjetër prej kohësh”.

Kështu ajo nuk pranon që ky vendim gjyqi të mbetet fjala e fundit në këtë histori. Ajo po mendon ta çojë çështjen në gjykatën federale.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.