Kompania EX FIS është kapur duke shitur derivate pa licencë.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, gjatë inspektimit të kryer më 20 prill 2026 në pikën e derivateve në Kijevë të Malishevës, ka kërkuar që të paraqitet licenca për ushtrimin e veprimtarisë afariste. Mirëpo, pala nuk ka arritur ta paraqesë atë, madje edhe pas afatit prej 30 ditësh një dokumentacion i tillë nuk është dorëzuar.
Pas kësaj, IQMT ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj biznesit në pronësi të Isa Muharremit.
Çka parasheh neni 6 i Ligjit për Tregtinë e Naftës?
Akti ligjor të cilin e ka shkelur EX FIS me rastin e ushtrimit të veprimtarisë pa licencë thotë se të gjitha subjektet duhet të pajisen me leje të vlefshme.
Shkelja e ligjit duke ushtruar veprimtarinë pa leje sanksionohet me paragrafin 2 të nenit 19 të Ligjit për Tregtinë e Naftës, ku parashihet gjobë deri në 15 mijë euro për persona juridikë, siç është në këtë rast EX FIS.
Prej kur funksionon EX FIS në Kijevë të Malishevës?
Nga publikimet e EX FIS në faqen e tyre në Facebook, kuptohet se kjo pikë e shitjes së derivateve të naftës është hapur në prill 2024.
Kush është EX FIS?
Kompania EX FIS Sh.P.K. që merret me shitjen e derivateve të naftës me shumicë dhe pakicë është e themeluar në vitin 2005, ku 100% të aksioneve i zotëron biznesmeni Isa Muharremi.
EX FIS ishte donatori më i madh i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2019, pasi që kishte dhuruar 9 mijë 534 euro donacion, më shumë se çdo individ apo kompani tjetër në këto zgjedhje.
Në vitin 2024 ishte raportuar se si EX FIS kishte tentuar t’i uzurponte pompat e derivateve në veri të Kosovës që ishin në pronësi të AKP-së, akoma pa u përmbyllur shpallja për dhënien e tyre në shfrytëzim.
Përfitimet favorizuese të EX FIS nga shteti kishin kulmuar më 31 dhjetor 2025, pasi që kësaj kompanie i ishte zgjatur monopoli edhe për 7 vite për furnizim me kerozinë në Aeroportin e Prishtinës.









