Ndërsa një qytetar i zakonshëm punon vullnetarisht për të dokumentuar krimet serbe në Kosovë, institucionet publike kanë zgjedhur të financojnë projekte të cilat i relativizojnë apo mohojnë këto krime. Ky kontrast ka nxitur reagime dhe kritika ndaj shtetit për mënyrën se si shpërndan fondet publike.
Esat Shala nga fshati Krajkovë i Drenasit, pa asnjë mbështetje institucionale, ka mbledhur mbi 2.000 video-kaseta me pamje të qindra masakrave dhe ngjarjeve të luftës, që nga fillimvitet e ’90-ta deri në përfundimin e luftës në vitin 1999. Qëllimi i tij është ndërtimi i një muzeu për krimet serbe, si dëshmi për drejtësinë dhe kujtesë për brezat e ardhshëm.
Shala ishte vetëm 12 vjeç kur forcat serbe ia dogjën shtëpinë dhe i vranë motrën e madhe. Burgosjet politike të familjarëve, zhdukjet dhe humbjet personale u bënë arsyeja kryesore që ai të nisë mbledhjen e këtyre materialeve, të cilat, sipas tij, një ditë do t’i shërbejnë drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare.
Në anën tjetër, Shkëlzen Gashi ka përfituar fonde publike për botimin e librit për masakrat, i cili është kritikuar për përmbajtje që, sipas kundërshtarëve, relativizon apo mohon krimet serbe. Për më tepër, së fundmi, edhe një ekspozitë e tij u financua nga Kuvendi i Kosovës, duke nxitur polemika për shkak të të dhënave të cilësuara si të pasakta dhe qasjeve të kontestuara.
Ky rast po shihet si një shembull i qartë i kontrastit mes përpjekjeve vullnetare për dokumentimin e krimeve dhe vendimeve institucionale për financimin e projekteve që ngjallin reagime të forta publike. Kritikat drejtohen jo vetëm ndaj autorit, por edhe ndaj shtetit, i cili me taksat e qytetarëve po mbështet iniciativa që, sipas shumë zërave, dëmtojnë narrativën e dokumentimit të krimeve serbe në Kosovë.






