Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një konferencë për media ka paralajmëruar rishikim të masave anti-Covid.
Hoti pas takimit që pati me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, tha se në ditët e fundit ka pasur rënie të rasteve si pasojë e masave të ndërmarra më 11 nëntor.
Kryeministri Hoti pas një takimi me përfaqësues të bizneseve theksoi se do të takohet edhe me profesionistët shëndetësor për t’i rishikuar në detaje masat që do të ndërmirren karshi gjendjes së re të krijuar.
Ai tha se pas këtij takimi do të ulem me profesionistë shëndetësor, për të parë nëse do të mund t’i ndryshojmë masat.
“Numri i rasteve ka rënë dhe situata ka filluar të stabilizohet, por po shohim se çfarë masa po marrin shtetet në Europë dhe përreth, dhe as ne nuk jemi imun dhe ndoshta do të duhet të reagojmë edhe ne”, tha Hoti.
Ndërkaq, përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë se duhet të bëhen përpjekje që të shmanget çdo mbyllje totale e ekonomisë.
Ata kanë kërkuar që të paktën në prag të festave të fundvitit të lirohen masat, në mënyrë që qytetarët që do t’i marrin paratë e Trustit, ato t’i shpenzojnë në Kosovë, dhe të mos dalin e t’i shpenzojnë jashtë vendit, sepse në këtë formë do të dëmtohej ekonomia.
Siç bëhet e ditur, të premten do të dalin masat e reja.
“Masat që tash janë në fuqi që janë vendosur më 11 nëntor kanë prodhuar rezultat të kënaqshëm ndërkohë që po flasim dy tri ditët e fundit, numri i rasteve të reja është stabilizuar dhe është parandaluar rritja eksponenciale. Situata është nën kontrollë dhe mjekët në spitale janë duke e përballuar fluksin e qytetarëve që kanë nevojë. Unë do të takoj profesionistët shëndetësor për t’i rishiku në detaje masat që do t’i ndërmarrim krahas gjendjes së re që është krijuar. Ju i keni parë masat që janë marrë në regjion dhe Evropë dhe ne nuk jemi të shkëputur as nga regjioni e as nga Evropa. Situata nuk pritet të përmirësohet sa i përket pandemisë në javët në vijim dhe ne duhet të përgatitemi për të gjitha skenaret. Mora rekomandime nga të gjitha shoqatat dhe besoj se i kuptoj brengat e tyre dhe pasojat që i kanë pasë në bizneset e tyre për çka unë i falënderoj për mbështetjen”, theksoi kryeministri Hoti.