E çuditshme: Prokuroria ia sekuestroi iPhone-n, ministri Peci refuzon ta tregojë kodin

Publikuar më:

Hetimet penale për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore mund të rezultojnë në një test të papritur për Prokurorinë Speciale.

Çështja ndërlidhet me iPhone-n e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci.

Peci është intervistuar të martën si i dyshuar për një rast penal të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, sipas një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas urdhëresës, gjatë aksionit parashihej edhe sekuestrimi i telefonit iPhone të ministrit Peci.

Paparaci ka marrë vesh nga burime brenda organeve të hetuesisë se përmbajtja e urdhëresës së gjykatës mund të ketë rënë në veshët e ministrit Peci para nisjes së aksionit.

“Avokati i ka treguar Pecit, pastaj ai ka shkuar në intervistim por pa telefon”, tha një burim i Paparacit brenda hetuesisë, derisa shpjegoi këtë version për ngjarjet e ditës së aksionit lidhur me dhënien me qira të fabrikës për mbetjet shtazore.

Hetuesit e Njësisë së Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës e ka paralajmëruar Pecin se nëse nuk e dorëzon iphone-n e tij, atëherë do të arrestohej.

Peci, pastaj e ka dërguar telefonin iPhone 16 por ka refuzuar t’ua japë atyre kodin për hapjen e tij, ka marrë vesh Paparaci nga burime brenda hetuesisë.

Telefoni iPhone 16 nuk mund të hapet, për shkak se autoritetet nuk e posedojnë programin për zhbllokimin e tij.

Prokuroria Speciale, e cila e ka në hetim rastin, e ka dërguar telefonin e ministrit Peci për zhbllokim te Njësia e Forenzikës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, por asnjëra prej tyre nuk ka mundur ta hapë atë.

Iphone i ministrit në detyrë të Bujqësisë, pas dështimit për t’u zhbllokuar, i është kthyer sërish Prokurorisë Speciale, ka mësuar Paparaci.

Taulant Hodaj, avokati mbrojtës i ministrit Faton Peci, i kontaktuar përmes telefonit nga Paparaci të hënën ka refuzuar të deklarohet për këtë çështje.

“Nuk kam marrë autorizim nga klienti im që të përgjigjem për këtë rast”, ka thënë Hodaj.

Paparaci, e ka pyetur të hënën edhe Prokurorinë Speciale nëse do të ndërmarrë hapa të tjerë në përpjekje për të zhbllokuar telefonin e ministrit Peci, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje nga organi i akuzës.

Një opsion mbetet dërgimi i telefonit për ekzaminim jashtë vendit.

Edhe Byroja Federale Hetimore (FBI) në ShBA ka hasur shpeshherë në probleme për hapjen e telefonëve iPhone, për shkak të ngurrimit të kompanisë Apple për dëshifrimin e pajisjeve duke përmendur privatësinë e përdoruesve.

Pas një beteje disa mujore me kompaninë teknologjike Apple në vitin 2016, FBI kishte arritur që ta zgjidhte problemin e kodit të telefonit të terroristit i cili kreu sulmin në San Bernardino. FBI e kishte zhbllokuar telefonin e terroristit përmes mekanizmave të saj, për shkak të refuzimit të Apple për të bashkëpunuar me agjencinë.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.