Një komision vlerësues i normës së shpimit në minierën e Stan Tërgut në Mitrovicë gjeti se për tetë muaj xehetarët dhe ndihmës-xehetarët raportuan më shumë metrazh të shpimit se realizimi faktik në terren.
Në fund të muajit shkurt, një sinjalizim në adresë të kryeshefit të Trepçës, Faton Ahmeti ngriti alarmin mbi dyshimet për manipulim të normës në minierën e Stan Tërgut. Për t’i verifikuar pretendimet, më 25.02.2026, kryeshefi i kësaj ndërmarrje formoi një komision në përbërje të pesë anëtarëve, Faton Hetemaj, kryetar dhe anëtarët, Arben Ramadani, Muamer Bilalli, Mustafë Asllani dhe Besim Xhemajli.
Pas më shumë se dy javësh, komisioni hulumtoi dyshimet për raportimin e normës nga xehetarët dhe ndihmësxehetarët në minierën e Stan Tërgut. Gjetjet tregonin se rreth 90 minatorë raportuan metrazh të shpimit në minierë më shumë se puna faktike që ishte realizuar në terren. Të dhënat tregonin që implikimi financiar nga raportimi i normës kapnin vlerën e 99 mijë e 454 euro.
Gjetjet u konfirmuan nga trembëdhjetë mbikëqyrësit e prodhimit në minierën e Stan Tërgut në Mitrovicë. Në deklaratat e dhëna para komisionit vlerësues, ata arsyetuan veprimet duke thënë që raportimi i metrazhit të normës ishte një dakordim me menaxherët e minierës.
Madje, shtatë nga trembëdhjetë mbikëqyrësit e prodhimit thanë para komisionit që raportimi i metrazhit të shpimit u bë me një dakordim me drejtorin e njësisë biznesore minierat me flotacion Trepça në Stan Tërg, Shyqeri Sadiku.
“Sa i përket qitjes së 45 m, kjo ka ardhur si rezultat i marrëveshjes së xehëtarëve me stafin inxhinierik konkretisht drejtorin” – deklaroi Hasim Ferati, mbikëqyrës në prodhim.
Edhe një mbikëqyrës tjetër në minierë kishte deklaruar që raportimi i normës ishte pas një marrëveshje me drejtorin.
“Në vitin e kaluar në Maj është marrë një vendim nga menaxhmenti që rrezikshmëria të hiqet nga pikët bazë. Ka pasuar një revoltë e xehëtarëve dhe na është rekomandu nga drejtori i Njësisë që deri në sistematizimin e ri të rregullores që t’i stimulojmë xehëtarët me 45 m. Nuk është arsyeja pse në nuk jemi profesional por ka qenë e imponuar dhe ne punojmë në bazë të këtyre urdhëresave” – kishte deklaruar mbikëqyrësi në prodhim, Samir Zahiti.
Më 01.04.2025, Bordi Mbikëqyrës i Ndërmarrjes Publike “Trepca” Sh.A., kishte nxjerrë një vendim me të cilin kufizonte shtesat për rrezikshmëri në vendin e punës për punonjësit. Vendimi, i cili ishte nënshkruar atë kohë nga kryesuesi i bordit, Mentor Berisha kishte sjell pakënaqësi tek xehetarët dhe ndihmës-xehetarët në minierën e Stan Tërgut.

Shpimi në minierën e Stan Tërgut, Foto: KALLXO.com
“Prej që u largu rrezikshmëria prej rrogës bazë, na ka thënë drejtori i njësisë që me ia shënu nga 45 m xehëtarëve që me u barazu e mos me u dëmtu në pagë” – kishte thënë Kujtim Hyseni, një tjetër mbikëqyrës në prodhim.
“Vitin e kaluar, prej majit ka hy në fuqi norma. Drejtori i njësisë na ka thënë para punëtorëve me ua minu xehtarëve në metrazh deri 2-3 muaj deri të përfundojnë rregulloren për sistematizim, edhe në kemi vazhdu kështu deri në janar sivjet kur na ka ardhë urdhëresa e shkruar që të shënohen vetëm metrazha e shpuar” – thoshte mbikëqyrësi tjetër i minierës, Faton Parduzi.
KALLXO.com ka provuar të marrë komente shtesë nga shtatë mbikëqyrësit e prodhimit në minierën e Stan Tërgut, por ata nuk kanë pranuar të deklarohen.
Ndërsa, detaje mbi raportin e vlerësimit të normës ka dhënë kryetari i komisionit, Faton Hetemaj.
“Mandati ynë ka qenë të bëjmë verifikimin e normës. Ne e kemi marrë si mostër muajin dhjetor të vitit 2025 dhe kemi filluar me analizimin e dokumentacionit. Gjetjet kanë treguar që ka pas mospërputhshmëri mes asaj që është shkruar dhe në atë që është faktike, tek metrazhet e shpimit” – ka thënë Hetemaj.
“Ne i kemi pasë në deklaratë trembëdhjetë mbikëqyrësa, shtatë nga ta e kanë cekë drejtorin e njësisë që iu ka thënë të iu mbulohen këto, xehtarëve të iu ndihmohet. Duke u bazu në deklaratat e mbikëqyrëve, që kjo metodë është përdorur nga muaji maj 2025 deri në dhjetor 2025, kjo rezulton që dëmi të jetë rreth 100 mijë euro” – ka thënë kryetari i komisionit për vlerësimin e normës.
Pretendimet e komisionit për vlerësimin e normës dhe të mbikëqyrësve të prodhimit në minierën e Stan Tërgut iu është përgjigjur drejtori, Shyqeri Sadiku. Ai ka mohuar se ka fryrje të raportimit të normës së shpimit në minierën që ai e drejton.
”Unë si drejtor edhe si udhëheqës i njësisë biznesore, Njësia me Flotacion në Stan Tërg, një raport të tillë nuk e kam edhe tash po dëgjoj që është bë një raport i tillë edhe është dorëzuar.
Beso nuk është e vërtetë ajo, absolutisht, se nuk mundem tash, po flas me dhënë diçka sqarime më tutje kur s’e kam raportin definitivisht me trajtu. Pa e trajtu raportin nuk mundem edhe ndonjë prononcim me ta dhënë më tutje” – ka thënë Shyqeri Sadiku.
“Është shqetësuese se ky raport, nëse nuk ka kaluar në njësinë biznesore, nuk ka ardhur tek ne zyrtarisht edhe nuk është ardhur në bord menaxhues edhe nuk ka shku në bord në mbikëqyrës të Trepçës, është për keqardhje qysh ka kaluar me mediumet…Gjithkush i ka… ne e kemi rregulloren, i kemi udhëzimet, gjithkush i ka përgjegjësitë për vlerësimin e normës edhe përgjegjësitë e veta, në bazë të rregullores’ – ka thënë drejtori i minierës në Stan Tërg, Shyqeri Sadiku.
Raporti i vlerësimit të normës ende nuk është trajtuar në Bordin Mbikëqyrës të ndërmarrjes. Në një përgjigje me shkrim, sekretari i Trepçës, Hasan Preteni tha se ende nuk është dorëzuar raporti.
“Bordi Mbikëqyrës nuk ka pranuar zyrtarisht asnjë raport në lidhje me normën. Bordi Mbikëqyrës nuk ka kompetenca operative dhe nuk ka iniciuar asnjë veprim në lidhje me pretendimin. Detyrat e BM janë të qarta dhe të mbështetura në legjislacionin në fuqi edhe atë Nenin 18 të Ligjit Nr 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, Nenin 9 të Ligjit Nr05/L-120 për Trepçën, Nenit 19 te Statutit të Trepça Sh. A.” – ka thënë ai përmes një përgjigje me shkrim.
Për situatën e krijuar është deklaruar edhe sindikata e punëtorëve në Trepçë.
“Nuk jam i informuar në detaje, por e di gjenezën e problemit, nuk mendoj që mund të jetë raporti i saktë, në përpikëmëri. Mendoj që duhet një hulumtim më i thellë më i detajuar dhe më transparent” – ka thënë Ibrahim Januzi, kryetar i sindikatës.
“Minierat janë specifike, puna e xehetarëve është më specifike, në disa raste ka standarde të sigurisë dhe shëndetit në punë” – ka thënë tutje Januzi.
Siç merr vesh KALLXO.com, tashmë krimet ekonomike nga Policia e Kosovës në Rajonin e Mitrovicës kanë nisur hetimet për rastin.









