Baki Shala krahason dy qasje të ndryshme rreth trajtimit të narrativës së luftës: atë të Shkëlzen Gashi dhe të Esat Shala.
Sipas tij, Gashi ka pasur mbështetje institucionale dhe financim publik për projekte që hapin debate shoqërore, ndërsa Esat Shala, vëlla i një dëshmoreje, ka dokumentuar në mënyrë të pavarur krimet serbe përmes mbi 2000 videove, pa përkrahje financiare apo platformë shtetërore.
Shala thekson se, ndërsa njëra qasje financohet për interpretim dhe ndërtim narrativash, tjetra mbetet e fokusuar në dokumentimin e dëshmive, por pa mbështetje institucionale. Ai paralajmëron se mungesa e investimit shtetëror në dokumentimin e krimeve rrezikon që historia të shkruhet nga të tjerët.
Postimi i plotë nga Baki Shala:
Dy emra. Dy qasje. Dy realitete krejt të kundërta.
Njëra anë: Shkëlzen Gashi
Me mbështetje institucionale. Me buxhet publik. Me hapësirë për ekspozita që ndezin debat dhe shpesh prekin nervin e shoqërisë. Kur shteti vendos me e financu një narrativë, ajo bëhet zë i fortë, pavarësisht nëse pajtohesh apo jo.
Ana tjetër: Esat Shala
Një vëlla i dëshmores që në heshtje ka bërë atë që institucionet shpesh dështojnë: arkivimin e krimeve. Mbi 2000 video. Dëshmi të gjalla të masakrave serbe. Material që nuk është vetëm histori, por provë. E megjithatë, pa buxhet, pa përkrahje serioze, pa platformë shtetërore.
Krahasimi është i thjeshtë dhe i dhimbshëm:
– Njëri financohet për interpretim
– Tjetri lihet vetëm me dokumentim
– Njëri krijon narrativë
– Tjetri ruan të vërtetën
– Njëri mbështetet nga pushteti
– Tjetri injorohet nga ai
Ironia?
Punën e Esat Shalës e shohin si kërcënim ata që kanë frikë nga e vërteta. Ndërsa këtu, shpesh kalon në heshtje.
Nëse një shtet nuk investon në dokumentimin e krimeve kundër vetes, atëherë dikush tjetër do ta shkruajë historinë në vend të tij.
Dhe historia, kur shkruhet nga të tjerët,
asnjë herë nuk është në anën tonë.








