Dëshmitari thotë se në kohën kur mori pozitën e kryeshefit ekzekutiv në KRM “Uniteti” kishte pasur me dhjetëra kontrata mbi vepër

Publikuar më:

Në gjykimin ndaj Skender Tahirajt, i cili në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave (KRM) “Uniteti” në Mitrovicë, akuzohet ka punësuar 70 punëtorë pa konkurs publik, u dëgjua Gazmend Morina, i cili tha se në kohën kur mori pozitën e kryeshefit në këtë kompani, kishte me dhjetëra kontrata mbi vepër.

Dëshmitari Morina, ish-kryeshef ekzekutiv në KRM “Uniteti” gjatë periudhës 2018-2024, tha të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj se të punësuarit me kontrata mbi vepër, ishin punësuar nga tani i akuzuari Skender Tahiraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në kohën kur unë e kam marrë pozitën e kryeshefit, ka pas me dhjetëra kontrata mbi vepër, të cilët janë punësuar nga Skender Tahiraj”, tha dëshmitari Morina.

Morina deklaroi se para se të bëhej kryeshef ekzekutiv, sipas zyrës së personelit, të punësuar në mënyrë të rregullt kanë qenë jo më shumë se 5 persona, ndërsa i gjithë stafi tjetër kishte shkuar në punë me kontrata mbi vepër dhe kontrata 1-vjeçare.

“Me një vendim të Bordit në vitin 2019, çdo punëtor që ka pas kontratë 1-vjeçare, iu ka vazhduar me automatizëm, ndërsa ata me kontratë mbi vepër iu ka vazhduar edhe njëherë për 4 muaj, e më pas është shpall konkurs i rregullt për pranim të punëtorëve”, tha dëshmitari.

I pyetur nga prokurori Valdet Avdiu se çfarë detyra ka pasur si kryeshef ekzekutiv, Morina tha se detyra e tij na qenë menaxhimi i kompanisë, në të cilën ka pasur rreth 250 puntorë.

Sipas tij, kompania ka pasur nevojë jo vetëm për ata 250 punëtorë sa ishin, por edhe më shumë.

Pas tij, u dëgjua dëshmitari Besim Morina, i cili tha se në KRM “Uniteti” punon që 10 vite e 4 muaj si pastrues. Tha se kishte kërkuar vetë personalisht punë në Drejtori, për shkak të kushteve të dobëta ekonomike.

“Drejtori më ka thënë sjelli dokumentet kur hapet konkursi do të filloni punën. Pastaj, më kanë ftuar në intervistë dhe jam pranuar. Me sa mbaj mend, kam qenë vetëm unë kandidat”, ka thënë ai.

Në shqyrtimin e sotëm është dëgjuar edhe dëshmitarja Naxhije Xhema, e cila nga viti 2009 deri në vitin 2016 kishte qenë antare e Bordit të KRM “Uniteti”. Ajo tha se Bordi kishte rol mbikëqyrës.

“Bordi i drejtorëve ka pas rol mbikqyrës dhe jo ekzekutiv, ne në kompani në takimet e Bordit kemi diskutuar, aprovuar dhe jemi marrë me politikat e ndërmarrjes”, tha dëshmitarja Xhema.

Punësimet në kompani, Xhema tha se nuk kanë qenë përgjegjësi e Bordit, por e ekzekutivit. Kurse, theksoi se vendimet që merrte Bordi ishin: vendime për ngritje të pagës, për shkarkim të drejtorit apo titullar udhëheqës, e të tjera.

Mbrojtësja e Tahirajt, avokatja Fatmire Braha, e pyeti dëshmitaren se a ka pasur kërkesë për shtimin e puntorëve nga tani i akuzuari. Xhema tha se nuk i kujtohet, por që ishte diskutuar shtimi i punëtorëve në kompani.

Në seancën e së enjtes u dëgjua edhe dëshmitari Burim Ibishi, i cili tha se që 11 vite punon si punëtor fizik në KRM “Uniteti”. Ai tha se punën e kishte kërkuar nga drejtori Tahiraj.

“Kam pas nevojë për punë dhe i kam kërku punë drejtorit Skenderit, nuk kam hy në ndonjë provim apo intervistë, kam nënshkruar kontratë 1-vjeçare pas 1 viti më është vazhduar prap për 1 vit, ndërsa tani e kam në kohë të pacaktuar”, tha dëshmitari Ibishi.

Kurse, dëshmitari tjetër- Remzi Ahmeti, i cili gjatë viteve 2013-2018 kishte qenë anëtar i Bordit në KRM “Uniteti” në kohën kur kryeshef ekzekutiv ishte Skender Tahiraj, tha se planin e biznesit e kishte bërë kryeshefi ekzekutiv, e më pas është dërguar tek Bordi dhe është aprovuar kur ka qenë brenda kornizave ligjore.

I pyetur nëse ka pasur përgjegjësi Bordi të shikojë nëse punësimi i punëtorëve po bëhet me rregull, dëshmitari tha se derisa nuk ka njoftim zyrtar se ka rekrutim pa përfillur procedurat, nuk do të vepronin, por kompetenca e rekrutimit të puntorëve i takon ekzekutivit.

Edhe dëshmitari Bekim Veseli tha se që nga viti 2013 punon në KRM Uniteti si puntor fizik dhe se punën e kishte kërkuar për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

“Kontratën e kam marrë nga drejtori në kohëzgjatje prej 1 viti e cila më është vazhduar, ndërsa pagën e kam marrë përmes bankës”, tha dëshmitari Veseli.

Më pas, u dëgjua dëshmitari Endrit Behrani, i cili tha se është arkivist në KRM “Uniteti” që nga viti 2014.

“Kam filluar punën në vitin 2014, nuk e mbaj mend a ka pas konkurs, fillimisht kam bërë praktikë 5 muaj dhe më pas jam punësuar. Mbikëqyrës ka qenë Skender Tahiraj”, tha dëshmitari Behrani.

Behrani shtoi se ka pasur kontratë 1-vjeçare me mundësi vazhdimi, të cilën tani e ka në kohë të pacaktuar. Tha se ishte në njohuri se kompania kishte nevojë për punëtorë.

Edhe dëshmitari Nuredin Brahimi, tha se kishte kërkuar punë në KRM “Uniteti” për shkak të kushteve të dobëta ekonomike.

“Fillimisht, kam shku tek kabina e personelit, nga aty më kanë dërgu te shefi pesonelit Sami Aliu, i kam lënë dokumentet, pas 10 ditëve më kanë thirrë në punë”, tha dëshmitari Brahimi, duke shtuar se të akuzuarin Tahiraj e kishte njoftuar pasi ishte punësuar.

Seanca e radhës pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Sipas aktakuzës së 7 majit 2021 të ngritur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Skender Tahiraj thuhet se prej vitit 2012 deri në shtator të vitit 2018, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, i kishte tejkaluar kompetencat e tij ose nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër.

Aktakuza thotë që në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave KRM- “UNITETI” SH.A në Mitrovicë, kishte favorizuar individë të caktuar, duke i sistematizuar në vende pune dhe pajisur me kontrata pune me kohë të caktuar (kontrata në vepër) për t’i shndërruar në kontrata të përhershme, pa shpallur konkurs publik kishte punësuar 70 punëtorë në tri regjionet Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, në kundërshtim me Ligjin e Punës Nr.03/L- 212 neni 8, paragrafi 1 të Republikës së Kosovës.

Aktakuza thotë se punëtorët: Afrim Kajtazi, Ajet Osaj, Arbër Mripa, Bekim Veseli, Destan Musliu, Enis Sylejmani, Fatmir Rreci, Hisni Bilalli, Mehmet Tahiraj, Myrvete Grejçevci, ishin punëtorë të pranuar në vitin 2012, Arton Rexha, Aziz Rushiti, Fidaim Dibranaj, Fidaim Rexha, Ilir Beqiri, Milaim Syla, Nehat Imeri, Nuredin Brahimi, Orhan Peci, Ruhan Istrefi, Sadik Gllogovci, ishin punëtorë të pranuar në vitin 2013, Ali Fazliu, Arsim Berisha, Bekim Zeka, Besim Morina, Blerta Tmava, Burim Ibishi, Endrit Berani, Habib Hajra, Haki Dibrani, ishin punëtorë të pranuar në vitin 2014.

Tutje thuhet se punëtorët Kushtrim Berani, Kastriot Hamza, Kefsere Rudi, Shaban Istrefi, Behar Ferizi, Naser Strana, Reshat Jashari, dhe Musa Gashi, ishin punëtorë të pranuar në vitin 2015, Bahri Bajraktari, Cenë Muharremi, Halit Jashari, Mimoza Ahmeti, Mujë Muja, Raba Peci dhe Safet Ahmeti, ishin punëtorë të pranuar në vitin 2016, kurse Ali Beqiri, Arbon Aliu, Emrah Mustafa, Fevzi Hasani, Musa Beqiri, Ruzhdi Hasani, Safet Aliu, Florim Syla, Safet Istrefi, Suad Jahiq, Erduan Mustafa, Fatmir Hajredini, Sherif Latifi, Senad Arifi, Ibo Mustafa, Florentina Jusufi, Hamdi Musliu, Isuf Hamdiu, Fatmir Xhema, Feta Osmanaj dhe Bekim Hamit, punëtorë të pranuar në vitin 2017 dhe Ilir Halilaj, Filiz Krasniqi e Meriton Ademi, punëtorë të punësuar deri më 24 prill 2018.

Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se për kategorinë e pagave të punëtorëve nga ajo që është planifikuar dhe zotuar në shumën prej 214 mijë e 467 euro e 47 centë për vitin 2012-2018 janë shpenzuar 721 mijë e 93 euro e 28 centë, ndërsa pagesa për këta punëtorë që janë bërë nga mjetet të cilat fare nuk kanë qenë të dedikuara për paga të punëtorëve, kishte arritur shumën prej 506 mijë e 625 euro e 81 centë, veprim me të cilin i pandehuri i kishte shkaktuar dëm kompanisë “Uniteti” në Mitrovicë.

Me këtë, Tahiraj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal

JU REKOMANDOJMË