“Benita Corporation” përfundoi në gjykatë, abuzoi me çmimin e naftës

Publikuar më:

Gjatë muajve të kaluar, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke u mbështetur në Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme, kishte vendosur që në baza ditore të caktojë çmimin maksimal të shitjes së derivateve të naftës.

Kjo kishte ardhur si pasojë e abuzimit me çmime nga disa kompani që merren me shitjen e derivateve.

Abuzime të tilla, që ndikonin drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve, u bënë pikërisht në kohën kur çmimet ishin rritur në nivelin më të lartë, si pasojë e luftës në Iran dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.

Mirëpo, disa kompani nuk kishin zbatuar vendimin e MINT-it, sidomos në shitjen e naftës.

Veriu.info ka siguruar një procesverbal të inspektimit të Inspektoratit në fjalë, të datës 3 prill 2026, me të cilin është konstatuar se kompania “Benita Corporation” Sh.P.K., me pronar Nexhat Kalludra, ka tejkaluar marzhën tregtare maksimale të lejuar për shitje me pakicë dhe shumicë të derivateve të naftës.

Si rezultat, IQMT më datë 5 maj 2026 ka filluar procedurën kundërvajtëse ndaj “Benita Corporation” në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega Drenas.

Në arsyetimin e kërkesës për fillimin e procedurës kundërvajtëse bëhet e ditur se inspektorët e tregut në bashkëpunim me inspektorët e ATK-së kanë konstatuar se “Benita Corporation” ka tejkaluar çmimin maksimal të lejuar për shitje me pakicë të produkteve të naftës, duke vepruar në kundërshtim me nenin 15 të Ligjit për Tregtinë me Produkte të Naftës, që sanksionohet me neni 19, paragrafi 13 i të njëjtit ligj.

Për këtë vepër, sipas ligjit, dënimi maksimal për persona juridikë është i paraparë në shumën prej 6 mijë euro.

Ndryshe, “Benita Corporation” Sh.P.K. është kompani e themeluar më 2022, ku 100% të aksioneve i zotëron Nexhat Kalludra.

JU REKOMANDOJMË