Një raport i Inspektoratit Farmaceutik, i siguruar nga Front Online, nxjerr në pah gjetje serioze gjatë një inspektimi të kryer në barnatoren “Ota Pharm” në Vushtrri, ku inspektorët kanë konstatuar produkte medicinale pa banderolë të Republikës së Kosovës.
Sipas raportit zyrtar të datës 26 shtator 2025, inspektimi është realizuar me kërkesë të Njësisë Rajonale të Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë, pas dyshimeve për operim me produkte medicinale të paautorizuara për qarkullim në tregun e Kosovës.

Nga inspektimi i kryer në këtë barnatore, sipas dokumentit, janë gjetur 20 kuti të produktit medicinal Demeprazol cps 20 mg, me numër serik AI9091, të cilat nuk kishin banderolë të Republikës së Kosovës. Produktet janë evidentuar në prani të farmacistit përgjegjës dhe janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik, raporton Front Online.

Raporti thekson se për produktin në fjalë është prezantuar faturë furnizimi nga depoja farmaceutike “Medimax”, me numër fature 24-210-001-32213, kopja e së cilës i është bashkangjitur dosjes. Megjithatë, sipas Inspektoratit pavarësisht prezantimit të faturës, produkti është konstatuar si pa banderolë, çka sipas dispozitave ligjore përbën shkelje në qarkullimin e produkteve medicinale në Kosovë.

Në dokument theksohet se produktet medicinale të cilat nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi ose hasen në subjekte të palicencuara, konfiskohen.
Po ashtu, për produktet medicinale pa banderolë, sipas udhëzimeve administrative në fuqi, parashihet sanksionim me gjobë dhe konfiskim të produktit.

Në pjesën e konstatimeve, Inspektorati Farmaceutik evidenton se “Ota Pharm LLC” është subjekt i licencuar pranë AKPPM-së, me pronar dhe farmacist përgjegjës Alban Mikushnica, por gjatë kontrollit janë hasur produkte medicinale pa banderolë të RKS-së.
Në fund të raportit, Inspektorati ka dhënë tri rekomandime kryesore: që barnatorja të operojë vetëm sipas legjislacionit në fuqi, që raporti të shoqërohet me vendim për gjobë me numër 10/J-014-25, si dhe që për plotësimin e rekomandimeve pala ta njoftojë me shkrim Inspektoratin Farmaceutik.
Pjesë e dosjes janë edhe procesverbali i inspektimit, fleta përmbledhëse e mallit të konfiskuar, fotodëshmitë e produktit pa banderolë dhe kopja e faturës së furnizimit. Në fotografitë e bashkangjitura në dosje shihen kutitë e produktit Demeprazol 20 mg, ndërsa në njërën prej tyre shihet edhe numri i serisë dhe afati i skadencës.
Front Online iu ka dërguar pyetje, por deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk ka arritur të marrë përgjigjie nga ta.







