Kundërshtimi ndaj mundësisë së rikthimit të një gurëthyesi në Kçiq të Madh po merr përmasa më të mëdha, ndërsa banorët kanë paralajmëruar se janë të gatshëm të organizojnë protesta, ngjashëm me ato të disa viteve më parë, nëse qeverisja lokale e udhëhequr nga Faton Peci vazhdon me iniciativën.
Reagimi erdhi pasi kryetari i Këshillit të Fshatit Kçiq i Madh, Fatmir Salihu, kundërshtoi ashpër propozimin për dhënien në shfrytëzim të një prone komunale për veprimtari gurthyese, duke e cilësuar vendimin të papranueshëm.
Sipas tij, përvoja e kaluar ka dëshmuar dëmet që gurëthyesi i ka shkaktuar fshatit, duke ndikuar në mjedis, shëndetin e banorëve, tokat bujqësore, burimet natyrore, rrugët lokale dhe cilësinë e jetës.
Pas reagimit të Salihut, edhe banorë të shumtë janë përfshirë në diskutim, duke shprehur gatishmërinë për të dalë në protesta në rast se Komuna nuk tërhiqet nga kjo nismë. Ata rikujtojnë protestat e organizuara vite më parë kundër veprimtarisë së gurëthyesit dhe thonë se janë të vendosur ta mbrojnë fshatin edhe këtë herë.
Salihu i bëri thirrje Komunës së Mitrovicës që të tërheqë iniciativën dhe të mos marrë vendime që, sipas tij, rrezikojnë të ardhmen e Kçiqit të Madh.
“Zëri ynë duhet të dëgjohet, sepse fshati ynë nuk duhet të bëhet viktimë e vendimeve që sjellin pasoja afatgjata për gjeneratat e sotme dhe ato që do të vijnë”, ka deklaruar ai.







