Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, Meki Selaci, ka bërë të ditur se është në kërkim të një angazhimi të ri profesional, krahas detyrës së tij në Kuvendin Komunal.
Në një postim publik, Selaci ka theksuar se prej më shumë se gjysmë viti angazhimi i tij i vetëm institucional është pjesëmarrja në mbledhjet e Kuvendit Komunal, të cilat mbahen një herë në muaj, duke shtuar se kjo krijon hapësirë dhe nevojë për një vend pune me orar të plotë.
Ai ka treguar se në pesë vitet e fundit ka qenë i angazhuar në kompani që ofrojnë shërbime outsourcing për kompani të mëdha në Gjermani, ku ka mbajtur pozita udhëheqëse. Sipas tij, për dy vite ka punuar në prokurim online për kompani si Bosch, Allianz dhe Bayer, ndërsa për rreth tri vite ka udhëhequr një ekip në sektorin BackOffice për Fricke Landmaschinen dhe Granit Parts.
Para kësaj periudhe, Selaci ka shërbyer për mbi tri vite si drejtor i Administratës në Komunën e Vushtrrisë, periudhë të cilën e konsideron të shënuar nga “reforma të thella”.
Ai ka bërë të ditur se pas përfundimit të obligimit të haxhit dhe disa angazhimeve personale, është i gatshëm të rikthehet në tregun e punës, duke kërkuar mundësi në kompani vendore apo ndërkombëtare, ku do të mund të kontribuojë në nivel profesional dhe menaxherial.
“Jam i hapur për çdo mundësi pune që përputhet me përvojën dhe aftësitë e mia, jo domosdoshmërisht vetëm në hapësirat gjermanofolëse,” ka theksuar ai, duke shtuar se është i gatshëm edhe për sfida dhe përvoja të reja.
Selaci ka ftuar të gjithë ata që kanë vende të lira pune të përshtatshme me profilin e tij, që ta kontaktojnë për mundësi bashkëpunimi.








