Një përshkallëzim i dhunës me armë zjarri është regjistruar të premten në fshatin Stanovc i Nalt në komunën e Vushtrrisë, ku një person ka qëlluar disa herë drejt një shtëpie me armë automatike. Cak i këtij sulmi ka qenë shtëpia e një 48-vjeçari, i cili është viktimë e rastit.
Sipas informatave të para, më 11 prill rreth orës 16:30, Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dje se në vendin e ngjarjes janë gjetur 12 gëzhoja dhe janë vërejtur dëmtime të dukshme në muret e jashtme të shtëpisë.
Familjarët e kanë identifikuar të dyshuarin, por ai ishte në arrati deri më 14 prill, kur është arrestuar nga policia dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Sinjali mëson se i dyshuari e ka pranuar veprën dhe ka dorëzuar vullnetarisht armën e përdorur – një AK-47, dy karikatorë dhe 26 fishekë.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe më pas është dërguar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës – dega në Vushtrri, ku është mbajtur seanca për caktimin e masës së sigurisë.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka miratuar kërkesën e prokurorisë dhe i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas viktimës, ky nuk është incidenti i parë me të njëjtin person dhe rasti lidhet me konflikte të mëhershme mes tyre.
Për çështje sigurie, njësitë policore po qëndrojnë në mënyrë statike pranë shtëpisë së viktimës.
Hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar.