Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Mitrovicë Gzim Jahiroviqin, i dyshuar për ushtrimin e presionit ndaj komunitetit rom në veri të vendit, duke i detyruar ata të votojnë për Listën Serbe.
Arrestimi është pjesë e një operacioni më të gjerë për luftimin e mashtrimeve zgjedhore dhe garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë dhe demokratik.
Dyshoqet që Jahiroviq, në bashkëpunim me strukturat ilegale serbe dhe sipas udhëzimeve të Milan Radoiçit, ka ushtruar presion të vazhdueshëm mbi komunitetin rom që të votojë për subjektin politik ‘Lista Serbe’.
Sipas të njëjtit burim, dyshohet se janë përdorur shantazhe dhe kërcënime në forma të ndryshme, duke përfshirë frikësimin e qytetarëve me heqjen e ndihmave sociale dhe shtesave për fëmijë që marrin nga Qeveria e Serbisë. Jahiroviq dyshohet se ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me banorët e këtij komuniteti, duke ushtruar presion që ata të mbështesin këtë subjekt politik.
Gzim Jahiroviq nuk është i panjohur për autoritetet, pasi ishte arrestuar më 30 nëntor 2024 pas një sulmi terrorist në kanalin Ibër-Lepenc. Ai dyshohet se ka qenë vazhdimisht i përfshirë në aktivitete kriminale dhe ka vepruar në emër të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, e njohur për aktivitetet destabilizuese në veri të Kosovës.
Arrestimi i sotëm konsiderohet një hap i rëndësishëm në luftën kundër strukturave ilegale dhe presionit politik ndaj komuniteteve në Kosovë.
Sipas një burimi të afërt me hetimet, autoritetet po vazhdojnë hetimet dhe nuk përjashtohet mundësia që në këtë skemë të jenë të përfshira edhe persona të tjerë.
Jahiroviq ka lidhje të ngushta me nismën politike ‘Romani Iniciativa’, e cila në zgjedhjet e fundit fitoi një vend të rezervuar për komunitetin rom përmes votave nga komuniteti serb në të njëjtën mënyrë si Adriana Hoxhiq.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të prerë nga Gjykata kompetente.