Arian Tahiri godet Kurtin nga Mitrovica: Betejën e Banjskës e fitoi Policia e Kosovës e themeluar nga Hashim Thaçi, Radojçiqi iku pa një therë në këmbë

Publikuar më:

Kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Arian Tahiri, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti gjatë tubimit elektoral të kësaj partie në Mitrovicë, duke e akuzuar për dështime në ekonomi, dialogun me Serbinë dhe menaxhimin e situatës së sigurisë në veri.

Tahiri tha se zgjedhjet e këtij viti janë të veçanta pasi, sipas tij, lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen e Kosovës, ndërsa akuzoi qeverisjen aktuale se e ka varfëruar dhe degraduar vendin.

“Formacioni politik i Albin Kurtit e ka degraduar Kosovën dhe i ka zhgënjyer qytetarët me premtime të papërmbushura”, deklaroi ai para mbështetësve të PDK-së.

Duke folur për raportet me Serbinë, Tahiri tha se Kurti ka braktisur parimet me të cilat kishte ndërtuar karrierën politike. Sipas tij, lideri i Vetëvendosjes dikur kundërshtonte negociatat me Serbinë, ndërsa sot ka pranuar marrëveshje që ai i cilësoi si të dëmshme për Kosovën, duke përmendur Marrëveshjen e Ohrit.

Tahiri kritikoi edhe performancën e qeverisë në aspektin social dhe ekonomik, duke thënë se nuk janë realizuar premtimet për ndërtimin e çerdheve, banesave për çiftet e reja dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Një pjesë e veçantë e fjalimit iu kushtua zhvillimeve në veri të vendit dhe sulmit terrorist në Banjskë. Tahiri tha se suksesi në përballjen me grupin e armatosur serb ishte meritë e Policisë së Kosovës.

“Betejën e Banjskës e fitoi Policia e Kosovës e themeluar nga Hashim Thaçi, ndërsa Albin Kurti e la Milan Radojçiqin të ikte pa një therë në këmbë”, u shpreh ai.

Në fund, Tahiri u bëri thirrje qytetarëve të Mitrovicës që të mos bien, siç tha ai, pre e “propagandës së sofistikuar” të Lëvizjes Vetëvendosje.

JU REKOMANDOJMË